Aktori i njohur kosovar, Fatmir Spahiu, i njohur për publikun si “Bufi”, ka reaguar lidhur me numrin e madh të armëve në qarkullim tek qytetarët. Ai ka propozuar vendosjen e një ore policore deri në demilitarizimin e plotë, duke theksuar se armët duhet t’i përkasin vetëm forcave të rendit dhe ushtrisë gjatë orarit të punës.
Spahiu ka sugjeruar që për personat me varësi nga armët, shteti të subvencionojë përdorimin e poligoneve të qitjes, në mënyrë që ata të largohen gradualisht nga ky ves, të cilin ai e cilëson si të lidhur me “krenari artificiale”. Ai ka shprehur shqetësimin se shumë armë pa leje gjenden në duart e individëve që, sipas tij, rrezikohen nga paranoja.
Sipas Spahiut, një masë e rreptë shtetërore është e domosdoshme për të ulur rrezikun dhe për të siguruar qetësinë publike./Radio Star/