Kosova po kalon një nga momentet më të vështira të saj politike që nga shpallja e pavarësisë. Dështimi i seancës konstituive të Kuvendit është vetëm simptoma e fundit e një sëmundjeje më të thellë: mosfunksionimi i sistemit politik, antagonizmi ekstrem dhe mungesa e bashkëpunimit për të mirën e përbashkët.
Sot, qytetarët janë të lodhur nga partitë që nuk komunikojnë me njëra-tjetrën, që flasin me mllef e përçmim, që nuk u përgjigjen halleve reale të popullit. Sot, dështimet politike e interesat partiake na shiten si veprime për të ruajtur demokracinë. Qytetarët janë lodhur nga lufta për pushtet dhe jo për vizion. Nga premtimet që harrohen pas zgjedhjeve. Nga mungesa e rezultateve.
Prej vitesh kam pasur nderin dhe përkushtimin të angazhohem në procese që kanë lidhur Kosovën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – nëpërmjet punës sime në Washington, përfaqësimit të çështjes shqiptare në qarqet ndërkombëtare, dhe mbështetjes ndaj reformave që synojnë forcimin e shtetit të së drejtës. Kam qenë gjithnjë ithtar i një çasjeje të qendrës së djathtë, ku vlerat si familja, ekonomia e tregut të lirë, liria individuale dhe përgjegjësia shtetërore janë themel i zhvillimit; ku qeverisja është në shërbim të qytetarit e jo pushtetarit; ku ambicja politike e angazhimi publik janë veçse mjete për t’i shërbyer vendit, e jo vetit; ku asgjë nuk vendoset para Kosovës! Pra, Kosova e para, asgjë tjetër!
Në këtë kontekst, shumë njerëz po pyesin me të drejtë: A ka ardhur koha për një forcë të re politike? Një përbashkim publik që nuk bazohet në inat, por në ide. Jo në hakmarrje, por në bashkëpunim. Jo në populizëm, por në profesionalizëm.
Nëse nuk bëjmë diçka ndryshe sot, do ta humbim edhe këtë gjeneratë.
Kosova ka nevojë për një politikë që flet ndershëm me qytetarin. Për një vizion autentik që sjell shpresë, unitet dhe funksionalitet. Një politikë që nuk shikon pas, por përpara. Për një vizion që e kalon retorikën e zakonshme, dhe e vendos theksin tek vlerat, jo tek ndarjet. Një përbashkim mbi themelet e shtetit dhe rrënjet e kombit.
Nëse do të ekzistonte një përpjekje e tillë — e bazuar në integritet, profesionalizëm, respekt për mendimin ndryshe, dhe unitet ne dallime — a do të ishim të gatshëm ta mbështesnim? Të bëheshim pjesë? Të kontribuonim qoftë edhe me një ide të vogël?
Kjo është veçse thirrje për reflektim, sepse ndryshimi nuk fillon vetëm nga fjalimet e bukura publike, por nga bisedat që me fisnikëri i hapim me njëri-tjetrin. Idetë e rrënjosura në bindje e ideale, jo domosdoshmërisht fillojnë në ndonjë zyrë apo kolltuk, por në zemrat e qytetarëve sado të zhgënjyer që ende nuk ka hequr dorë nga shpresa!