Prej më shumë se dhjetë seancash, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk po arrin të konstituohet. Kjo është më shumë se dështim institucional – është një krizë e rëndë politike, morale dhe tashmë edhe e besimit qytetar. E paimagjinueshme në një demokraci që synon konsolidimin.
Deputetët, të zgjedhurit e popullit, që kanë për obligim kushtetues, detyrim politik dhe mbi të gjitha barrë morale për të ofruar zgjidhje, janë bërë pengesë e procesit demokratik. Dy taborre politike janë ngulitur në qëndrime që më shumë burojnë nga inatet e egos dhe interesat e ngushta partiake sesa nga përkushtimi ndaj shtetit dhe qytetarëve.
Njëra palë ngulë këmbë në të drejtën kushtetuese për të propozuar kryetarin e Kuvendit. Pala tjetër, në të drejtën për të votuar kundër apo për të abstenuar. Por askush nuk merr përgjegjësinë për të gjetur zgjidhje. Asnjëra palë nuk ka numrat për të ecur vetë – të dyja kanë, megjithatë, fuqinë për të bllokuar.
Ky nuk është më një ngërç politik – ky është abuzim. Abuzim me votën e qytetarit. Abuzim me mandatin. Keqpërdorim i funksionit publik. Qoftë me vetëdije apo jo, kjo sjellje përbën dëm të drejtëpërdrejtë ndaj interesit të shtetit të Kosovës dhe ndaj themeleve të saj institucionale.
Nuk jam jurist, por besoj se ekziston bazë ligjore që, kur dikush e keqpërdor pozitën që ka, t’i ndalohet ushtrimi i asaj pozite. Në çdo vend demokratik, abuzimi me pozitën publike bartë pasoja, përfshirë përjashtimin apo ndalimin nga funksionet e tilla, dhe kjo do duhej të vlente edhe për të gjithë deputetët!
Është koha që ky precedent të trajtohet seriozisht. Nëse për dhjetë herë me radhë dështon përmbushja e detyrës më bazike – konstituimi i Kuvendit – atëherë problemi nuk është tek procedurat, por tek vullneti. Tek përgjegjësia që mungon. Dhe për këtë, përgjegjësia duhet të jetë reale: politike, morale dhe ligjore.
Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, jo për bllokadë të qëllimshme. Ka nevojë për dialog e zgjidhje, jo për grindje sterile. Ka nevojë për përfaqësues që punojnë për shtetin, jo për partinë apo vetveten.
Zgjedhjet nuk janë një çlirim nga përgjegjësia – janë vetëm fillimi i saj. Dhe kur kjo përgjegjësi nuk përmbushet, atëherë populli dhe drejtësia duhet të veprojnë.