Ky është vit zgjedhor në SHBA dhe për shumëkë anekënd globit ka shkaktuar një drithërimë politike. Palët presin me padurim rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit për të kuptuar nëse demokratët e Biden – tanimë me Kamala Harris si prijetare – do dalin ngadhnjimtarë, apo amerikanët do e rikthejnë në Shtëpinë e Bardhë Donald Trump. Fitorja e njërit apo taborrit tjetër drejtë Shtëpisë së Bardhë është përcaktuese për dinamikën e zhvillimeve globale në secilën fushë. Kjo drithërimë na prek edhe neve në Kosovë – bile, do thoja më shumë e më thellë se shumëkë tjetër, për shkak të marrëdhënjeve tona me SHBA-të, të cilat duhet ruajtur sikur sytë e ballit.
Rruga e Kosovës nga konflikti te pavarësia është një dëshmi e qëndresës dhe fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar. Që kur shpalli pavarësinë në vitin 2008, Kosova e ka pasur për obligim që të ndjekë një rrugë drejt qeverisjes demokratike, zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit rajonal. Kyç për këtë përparim ka qenë mbështetja dhe partneriteti i palëkundur i Shteteve të Bashkuara. Ndërsa Kosova vazhdon të përballet me sfidat dhe mundësitë e saj, ruajtja dhe forcimi i marrëdhënies së saj unike me Shtetet e Bashkuara është thelbësore për disa arsye.
Bazë Mbështetjeje dhe Stabiliteti
Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kyç në historinë e Kosovës, nga ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, tek ndërhyrja humanitare që i dha fund luftës në vitin 1999, e deri tek përpjekjet diplomatike që çuan në pavarësinë e Kosovës. Ky partneritet është i rrënjosur në vlerat e përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut. SHBA-ja ka mbështetur vazhdimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke ofruar një forcë stabilizuese në një rajon shpesh të mbushur me tensione. Për Kosovën, vazhdimi i kësaj marrëdhënje me SHBA-të siguron një aleat të qëndrueshëm në kohë pasigurie globale me sfida të mëdha gjeopolitike.
Rritja Ekonomike dhe Zhvillimi
Ekonomia e Kosovës ka bërë përparime të rëndësishme, por sfidat mbeten. SHBA ka luajtur një rol thelbësor në nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes investimeve, tregtisë dhe mbështetjes për sektorin privat. Përjashto koston e intervenimit ushtarak (rreth $1.8 miliard sipas përllogaritjeve nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-ve), nga viti 1999 deri më 2008, në kuadër të përkrahjes humanitare dhe rindërtimit, SHBA-të kanë ndihmuar Kosovën me mbi $1.1 miliard. Vetëm pas vitit 2008, përmes programeve të shumta të USAID-it, Kosova ka përfituar rreth $900 milionë nga SHBA-të në sektorin e ekonomisë në ndihmë direkte shtetërore. Shto këtu edhe rreth $300 milionë nga MCC (Korporata e Sfidave të Mijëvjecarit) që nga viti 2022, kryesisht për sektorin e energjisë. Pra, mbi $2.1 miliardë të taksapaguesëve amerikanë janë harxhuar në Kosovë dhe për Kosovën që nga paslufta. Andaj, duke thelluar lidhjet ekonomike, Kosova mund të shfrytëzojë ekspertizën dhe burimet amerikane për të krijuar vende pune, për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të rritur cilësinë e jetës për qytetarët e saj. Forcimi i këtij partneriteti ekonomik do të ndihmojë Kosovën të integrohet më plotësisht në ekonominë globale dhe të ndërtojë një të ardhme të begatë.
Paqja dhe Siguria Rajonale
Ballkani ka qenë historikisht një pikë e nxehtë për tensionet etnike dhe politike. Stabiliteti i Kosovës është thelbësor për paqen rajonale, dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara është një faktor kyç në zbutjen e konflikteve. Vetëm në sektorin e sigurisë dhe sundimit të ligjit, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Kosovën me mbi $400 milionë (duke mos përfshirë këtu koston e misioneve këshilldhënëse strategjike, trajnimeve në SHBA, dhe përkrahjes teknike), kryesisht në ndihmë të drejtpërdrejtë për mjete ushtarake për FSK-në, teknologji e pajisje tjera për Policinë e Doganën e Kosovës. Andaj, përmes bashkëpunimit me institucionet amerikane, Kosova mund të vazhdojë të ndërtojë një sektor sigurie profesional dhe të aftë që kontribuon në stabilitetin rajonal dhe përpjekjet kundër terrorizmit. Ky partneritet gjithashtu shtrihet në adresimin e sfidave globale, si siguria kibernetike dhe ndryshimet klimatike, ku Kosova mund të përfitojë nga përvoja dhe inovacioni i SHBA-së.
Forcimi i Institucioneve Demokratike
Si një demokraci e re, Kosova përballet me detyrën e vazhdueshme të forcimit të institucioneve të saj dhe sigurimin e sundimit të ligjit. SHBA ka mbështetur Kosovën në ndërtimin e strukturave qeverisëse transparente, të përgjegjshme dhe efektive. Se sa ia kemi arritur këtij qëllimi, është më shumë përgjegjësi e jonja kolektive si kosovarë! Sidoqoftë, le të mos harrojmë se vetëm në këtë përpjekje, SHBA-të kanë ndihmuar Kosovën me mbi $500 milionë. Andaj, bashkëpunimi i vazhdueshëm mund të ndihmojë Kosovën të avancojë reformat gjyqësore, të luftojë korrupsionin dhe të mbrojë të drejtat e njeriut. Këto përpjekje janë thelbësore jo vetëm për stabilitetin e brendshëm, por edhe për aspiratat e Kosovës për t’u bashkuar me strukturat euroatlantike, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Një Vizion i Përbashkët për të Ardhmen
Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një vizion për një Ballkan paqësor, demokratik dhe të begatë. Ky vizion është i bazuar në respekt të ndërsjellë, bashkëpunim dhe një angazhim për të kapërcyer sfidat së bashku. Duke kultivuar këtë marrëdhënie, Kosova mund të vazhdojë të marrë forcë nga partneriteti i saj unik me Shtetet e Bashkuara, duke siguruar që zëri i saj të dëgjohet në skenën ndërkombëtare dhe që interesat e saj të mbrohen.
E ardhmja e Kosovës është e lidhur pazgjidhshmërisht me marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara. Sfidat e kohëpaskohëshme që paraqiten në këtë marrëdhënje duhet tejkaluar me maturi, respekt e besim. Askush nuk duhet të dyshojë që investimi kaq i madh i SHBA-ve (përtej atij financiar me miliarada dollarë), sidomos në sferën diplomatike në përkrahje të Kosovës (duke sfiduar edhe superfuqitë tjera si Rusia e Kina, e duke anashkaluar nganjëherë edhe aleatë të vet që jo domosdoshmërisht përkrahnin Kosovën e bile as pavarësinë e saj), është bërë kot së koti apo për të dëmtuar Kosovën në fund.
Ky partneritet ka qenë thelbësor në përparimin e Kosovës dhe do të mbetet thelbësor ndërsa vendi ndjek rrugën e tij përpara. Duke ruajtur dhe forcuar lidhjet e saj me SHBA-në, Kosova mund të vazhdojë të ndërtojë një të ardhme më të ndritur për qytetarët e saj dhe të kontribuojë në një rajon të Ballkanit të qëndrueshëm, në paqe, dhe të begatë – brenda një Evrope të lirë e të bashkuar.