Një polic serb u vra e një tjetër u plagos të enjten pas mesnate në Loznicë të Serbisë. Autor i vrasjes dyshohet se është Faton Hajrizi, i arratisuri nga burgu i Smrekonicës që nga 6 korriku, mëson ekskluzivisht Paparaci.
Fillimisht autor i dyshuar u tha se është Artan Hajrizi, vëllai i Fatonit, për shkak se në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizi, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Por e vërteta qëndron krejt ndryshe. Paparaci përmes burimeve të veta mëson se autor i vrasjes dyshohet se është Faton Hajrizi i cili gjatë ikjes ka përdorur dokumentet e të vëllait, Artanit.
Destinacioni final i Fatonit, sipas burimeve tona, është paraparë të jetë Bosnja e Hercegovinës, por që gjatë një kontrolli rutinë në Loznicë të Serbisë ndodhi rasti që ndryshoi komplet planin.
Pas ndalimit nga policia për kontroll, Fatoni kishte refuzuar të identifikohej dhe aty ka lindur konfliki që eskaloi në të shtëna me armë.
Si pasojë, dy policë serb kanë marrë plagë në trup, e njëri prej tyre ka ndërruar jetë.
Në veturë me Fatonin ndodhej edhe një taksist i cili tashmë është arrestuar nga autoritetet serbe.
Prokuroria Themelore Publike në Lloznicë e ka ndaluar taksistin për 48 orë.
“Vozitësit të veturës nga e cila është shtënë, H.M. i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga Prokuroria Themelore Publike në Lloznicë për shkak të dyshimit se ka bërë vepër penale, kalimi ilegal i kufirit shtetëror dhe trafik me njerëz”, thuhet në një njoftim të Prokurorisë së Lloznicës./Paparaci