I arratisuri për të nëntën herë nga burgjet e Kosovës, tashmë i shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës është lajmëruar sërish në rrjetin social, TikTok. Faton Hajrizi ka ironizuar me deklaratën e Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili pati thënë se kapja e tij është “çështje orësh”.
Në një live në TikTok, Hajrizi i vë bast Sveçlës se s’mund ta arrestojë.
“A ke punu në furrë a çka osht puna se i kishe do orë të furraxhisë. Nuk mun um kap ti mu, kurrë s’un um kap, o ministër i punëve të kota. Ata të cilët um kishin kap, edhe me marrëveshje, jonë ën Hagë atje, që ua kisha ngu hatrin, jo lepurushat e Vetëvendosjes. Ju njohim mirë kush jeni. Sa për ty, vi midis Prishtinës dhe sguxon me m’dalë hiç, po i shtin qata burra Njësi Speciale jau then krytë.” – thotë ndër të tjera Faton Hajrizi.
Hajrizi po ashtu ka dhënë një deklaratë me kode, e madje ka ironizuar për lokacionin e tij.
“Pasna hup. Duhet me çitë në bander. Njeri i humbur. Ka hup. Kurrë mos u gjetë. Në Qeveri jom, mrena në ndërtesë jo, bile n’dhomë të Albulena Haxhiut. E kish lonë nifar dysheku. Tha rri edhe dimrit qitu masi o veni i sigurt”, shprehet ai.
Hajrizi edhe ditë më parë është shfaqur në TikTok.
Ai si arsye për ikjen nga burgu ka përmendur trajtimin sipas tij jo të duhur që i është bërë, ndërkaq ka thënë se ndodhet jashtë Kosovës dhe nuk kthehet në burg.
“Jam larguar nga ai vend se më është bërë zullum në atë vend. Psiqikisht më është bërë zullum, nuk kam mundur më. Në këtë gjendje nuk kthehem më në burg. Aty vuajnë të burgosurit, nuk ipet kushti, nuk trajtohen të gjithë njësoj”, ka thënë ai