Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar ndaj ish-kreut të LDK-së, Isa Mustafa, pasi që ky i fundit në një intervistë ka folur për balotazhet e 14 nëntorit, ku tha se “në zgjedhjet e ardhshme LVV-ja mund mbetet partia e katërt, kurse ‘Guxo’ askund, si sot”.
E ndaj kësaj deklarate Peci, që është pjesë e listës tashmë pasive “Guxo”, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Mustafa me performancën e tij, LDK-në e ka sjell në skaj të ekzistencës, të cilën thotë ai e vuri gjithnjë në dispozicion të PDK-së.
“I nderuar pensionist Mustafa, në moshën tënde, njerëzit reflektojnë për rrugën në të cilën kanë ecur. Me moshën që ke nuk të falet të japësh mendime axhamijsh. Me performancën tënde, partinë që i ke pri e ke sjellë pothuajse në skaj të ekzistencës, duke e vu gjithnjë në dispozicion të PDK-së, kurdo që ajo ka pas nevojë. Madje nuk je skuqë, as kur ky subjekt, LDK-në ku ti je i vonshëm, ta ka trajtu si varëse çelësash”, ka shkruar ai.
Peci i ka thënë Mustafës po ashtu se është aksionar i shkatërrimit të partisë më të vjetër në vend, pra LDK-së.
“Pra, me fjalë të tjera ti je aksionar i shkatërrimit të partisë më të vjetër në vend. Rrjedhimisht, çfarë leksione po mbanë dhe kujt?! Të lutem, rri në qetësinë e moshës, sepse nëse ti s’ke pas guxim, ne kemi”, tha ai.
Sipas tij, lista “Guxo” ia siguroi pensionimin politik Mustafës.
“Prandaj është pikërisht Lista “Guxo”, që ju siguroi pensonimin politik. Guxo ia dha Kosovës presidenten me legjitimitetin më të madh në historinë e pas pavarësisë. Zonja Osmani ka 300 mijë vota, i nderuar Mustafa, synim që ju s’e arritët as me më shumë se 30 vjet në skenën politike. Guximin tënd e shprehe duke qenë patericë e PDK-së, porse asnjëherë vetvetja”, tha ministri i Bujqësisë, Faton Peci./zeri/
Komunikata plotë:
I nderuar pensionist Mustafa, në moshën tënde, njerëzit reflektojnë për rrugën në të cilën kanë ecur. Me moshën që ke nuk të falet të japësh mendime axhamijsh. Me performancën tënde, partinë që i ke pri e ke sjellë pothuajse në skaj të ekzistencës, duke e vu gjithnjë në dispozicion të PDK-së, kurdo që ajo ka pas nevojë. Madje nuk je skuqë, as kur ky subjekt, LDK-në ku ti je i vonshëm ta ka trajtu si varëse çelësash. Pra, me fjalë të tjera ti je aksionar i shkatërrimit të partisë më të vjetër në vend. Rrjedhimisht, çfarë leksione po mbanë dhe kujt?! Të lutem, rri në qetësinë e moshës, sepse nëse ti s’ke pas guxim, ne kemi. Prandaj është pikërisht Lista “Guxo”, që ju siguroi pensonimin politik. Guxo ia dha Kosovës presidenten me legjitimitetin më të madh në historinë e pas pavarësisë. Zonja Osmani ka 300 mijë vota, i nderuar Mustafa, synim që ju s’e arritët as me më shumë se 30 vjet në skenën politike. Guximin tënd e shprehe duke qenë patericë e PDK-së, porse asnjëherë vetvetja.
I nderuar, mashtrimet, obstruksionet, pazaret e natës, janë tipare të kohës suaj. Ajo kohë i takon të kaluarës suaj të palavdishme!
Sot, është kohë tjetër. Ne guxojmë, s’jemi patericë, porse partner, ndaj përveç kreut të shtetit kemi hise edhe në ekzekutiv.
Pra, nëse ti nuk ke guxu nga PDK-ja, ne guxojmë, nuk jemi të varur, e nuk jemi as patericë e askujt. Por, jemi guximtarët! Ne e bëjmë guximin dhe të ardhmen, juve pleqëri të qetë e pendim për stagnimin e vendit si pasojë e paguximit tuaj për t’u përballë me të keqen!