Fatos Ramadani: Qytetari po e paguan çmimin më të madh në çështjen e Bulevardit, nevojitet transparencë e plotë
Asamblisti i LDK-së, Fatos Ramadani, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit për çështjen e Bulevardit, duke theksuar se në gjithë këtë situatë, qytetarët janë ata që po pësojnë më së shumti.
Sipas Ramadanit, edhe pse është bërë e ditur se projekti nuk posedon lejen e nevojshme, institucionet duhet të tregojnë transparencë të plotë ndaj qytetarëve dhe të mos veprojnë në kundërshtim me interesat e tyre.
Ai ka theksuar se si përfaqësues i LDK-së do të mbështesë dhe do të shtyjë përpara çdo projekt dhe iniciativë që është në të mirë të qytetarëve, pavarësisht se nga kush vjen.
“Punët e mira, LDK-ja si subjekt politik i duartroket dhe do t’i mbështesë gjithmonë. Megjithatë, mungesa e transparencës nuk mund të arsyetohet, pasi mbi të gjitha jemi të obliguar të japim llogari para qytetarëve,” ka deklaruar Ramadani.
Ai ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të jenë më të hapura dhe më llogaridhënëse, duke vendosur interesin e qytetarit mbi çdo interes tjetër./Radio Star/

