Fatos Ramadani, kandidat nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me numrin 20 në listë, synon të bëhet pjesë e Asamblesë Komunale të Gjilanit. Me përvojën dhe angazhimin e tij shumëvjeçar, ai e sheh sportin si një ndër shtyllat kryesore për zhvillimin e rinisë dhe për ndërtimin e një shoqërie më aktive e më të shëndetshme.
Ramadani thekson se Kuvendi Komunal i Gjilanit është platforma më e përshtatshme për të shtyrë përpara proceset institucionale që lidhen me rininë dhe sportin. Ai beson se përmes iniciativave konkrete dhe projekteve të strukturuara, mund të ofrohet më shumë mbështetje për brezat e rinj, duke u krijuar hapësira të reja për afirmim dhe zhvillim personal.
“Sporti nuk është vetëm aktivitet fizik, por edhe një mjet i fuqishëm për edukimin, disiplinën dhe bashkimin e të rinjve. Përmes tij mund të kontribuojmë në formimin e një gjenerate të shëndoshë, të përkushtuar dhe të gatshme për të ardhmen,” ka theksuar Ramadani.
Me vizionin e tij, ai premton që zëri i rinisë të dëgjohet më fuqishëm në institucionet komunale dhe që sporti të marrë vëmendjen që meriton në politikat lokale të Gjilanit./Radio Star/