Komuna e Gjilanit i ka bërë të gjitha përgatitjet sipas planit kontingjent për furnizim me ushqim dhe barëra për familjet me gjendje të rëndë sociale, në kuadër të kujdesit për përballimin e fazës së dytë të COVID-19.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në mbledhjen e bordit të drejtorëve, të mbajtur të hënën.
Në këtë takim, kreu i Gjilanit ka thënë se do të lirohen nga puna në administratën komunale të sëmurit kronikë dhe shtatzënat, sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës.
Në takim, po ashtu, u diskutua për masat e reja anti-COVID-19, të cilat do të zbatohen në përputhje me vendimin qeveritar, derisa ka dalë apeli për qytetarët që të vazhdojnë t’iu përmbahen rekomandimeve kundër përhapjes së virusit, siç është mbajtja e maskës, ruajtja e distancës sociale dhe pastrimi i duarve.