Drita ka vazhduar dominimin në derbin e qytetit ndaj Gjilanit. Të dielën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, Drita e mposhti rivalin lokal me rezultatin 2:0 në ndeshjen që i takoi xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll.
Derbi u zhbllokua në minutën e 32-të, me Almir Ajzeraj që shënoi për 1-0 për Dritën. Me këtë gol edhe përfundoi pjesa e parë, derisa në të dytën ishte një ritëm më i lartë.
Drita synonte të thellonte epërsinë, dhe këtë e arriti në pjesën e dytë. Bardhekaltërtit goditjen finale rivalit lokal, ia dhanë në minutën e 82-të me sulmuesin Ardit Tahiri i cili erdhi nga stoli.
Pas javës së tetë, Drita gjendet në vendin e tretë me 15 pikë, katër më pak se lideri Ballkani, ndërsa Gjilani është në të shtatin me shtatë sosh.