Skuadra e Dritës tashmë është shpallur kampione e Kosovës për herë të katërt në histori dhe më 25 maj, në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Feronikelit ’74, do të zhvillojë një festë madhështore në qytetin e Gjilanit.
Burime të Radio Star bëjnë të ditur se klubi gjilanas po përgatit një organizim të veçantë për të festuar këtë sukses të madh, që do të kulmojë me ngritjen e trofeut para tifozëve të zjarrtë të Dritës.
Në këtë ngjarje të veçantë pritet të marrin pjesë edhe emra të njohur të estradës shqiptare, të cilët do të performojnë për të festuar së bashku me ekipin dhe qytetin. Edhe pse emrat ende nuk janë zyrtarizuar, Radio Star mëson se bëhet fjalë për artistë të njohur dhe të dashur për publikun, të cilët do të zbulohen së shpejti.
Festa do të transmetohet live, duke i mundësuar të gjithë atyre që nuk mund të jenë fizikisht të pranishëm, ta ndjekin emocionin e kampionëve nga çdo cep i vendit apo jashtë tij.
Mos harroni, 25 maji do të jetë një ditë historike për qytetin e Gjilanit – një ditë e rezervuar për kampionët!