FC Drita ka shpallur organizimin e një feste madhështore për të kremtuar titullin e katërt kampion në Superligën e Kosovës në futboll shkruan Radio Star.
Me moton “Champions Night – Festa e Titullit”, klubi gjilanas fton të gjithë qytetarët dhe tifozët në një mbrëmje spektakolare më 25 maj, nga ora 19:30, përballë Teatrit të Qytetit në Gjilan.
Nën ngjyrat bardh e kaltër, FC Drita do të festojë një sezon të suksesshëm, të mbushur me sakrificë, pasion dhe krenari. Klubi e ka cilësuar këtë mbrëmje si një festë për historinë, ekipin, qytetin dhe mbi të gjitha për tifozët e zjarrtë, Intelektualët.
Organizatorët kanë paralajmëruar muzikë, emocione dhe spektakël, duke premtuar një atmosferë që nuk do të harrohet lehtë. Të gjithë qytetarët janë të ftuar të bëhen pjesë e festës në qendër të qytetit dhe të festojnë këtë sukses të madh së bashku me ekipin kampion.