Sot zhvillohen ndeshjet e xhiros së 18-të, e cila mbyll kampionatin vjeshtor të Superligës së Kosovës.
FC Drita synon fitoren ndaj Feronikelit ‘74, pas humbjes në derbin lokal kundër Gjilanit.
Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani tashmë ka siguruar vendin e parë për këtë fazë të kampionatit dhe ka 7 pikë avantazh ndaj vendit të dytë. Drita shpreson ta rrisë këtë diferencë në 10 pikë, duke përfituar nga rezultati i ndeshjes mes Ballkanit dhe Suharekës, që luhet sot.
Pas 17 xhirove, Drita ka grumbulluar 37 pikë dhe ka treguar formë mbresëlënëse, me vetëm dy humbje gjatë këtij sezoni.
Trajneri Ramadani, në konferencën për shtyp, deklaroi: “Nuk duhet të jemi komodë asesi; pikët mund të shkrihen brenda një muaji nëse nuk e marrim situatën me seriozitet.”
Ndeshja do të zhvillohet në Gjilan, duke filluar nga ora 13:00, në stadiumin ndihmës me bari sintetik.