Vali Ranch Resort & Congress Center, kompleksi më i madh turistik dhe eventiv në vend, ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt mirëqenies së stafit të tij. Pronari i Vali Ranch, Fehmi Fetahu, ka vendosur që duke filluar nga ky vit, punëtorët e resortit të përfitojnë rrogën e 13-të si bonus të rregullt vjetor, si dhe sigurim shëndetësor për secilin punëtor.
Ky vendim vjen si rezultat i kënaqësisë së lartë të pronarit me angazhimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit dhe menaxhmentit, të cilët kanë kontribuar drejtpërdrejt në suksesin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të Vali Ranch.
Fehmi Fetahu është shprehur tejet i impresionuar me numrin e madh të vizitorëve nga mbarë trojet shqiptare, të cilët gjatë këtij viti kanë zgjedhur Vali Ranch si destinacion për pushime, evente familjare, organizime biznesi dhe kongrese. Sipas tij, impakti i sallave moderne, shërbimi cilësor dhe investimet e vazhdueshme kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e reputacionit të kompleksit.
“Rroga e 13-të tashmë do të jetë një praktikë e rregullt për stafin tonë, ndërsa sigurimi shëndetësor është një formë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e vazhdueshëm që secili punëtor jep në Vali Ranch,” thuhet nga Fehmi Fetahu.
Investimet në Vali Ranch nuk do të ndalen. Fetahu ka konfirmuar se projektet zhvillimore do të vazhdojnë, me synim që kompleksi gjigant të mbetet lider në industrinë e turizmit dhe eventeve, duke ofruar kushte moderne si për vizitorët, ashtu edhe për stafin.
Me këto vendime, Vali Ranch po vendos një standard të ri në trajtimin e punëtorëve, duke u shndërruar në shembull pozitiv për sektorin privat në vend./Radio Star/










