Sipërmarrësi i njohur Fehmi Fetahu priti sot në një takim miqësor ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj. Takimi u zhvillua në ambientet e resortit të ndërtuar nga Fetahu në një prej zonave kodrinore të Gjilanit – një investim që po e shndërron këtë pjesë të qytetit në një destinacion turistik me standarde evropiane.
Ambasadori Malaj e përshkroi Fetahun si një mik të vjetër dhe një shembull frymëzues të zhvillimit rajonal. “Pata kënaqësinë të takoja një mik të kahershëm në Gjilan, ku shkëmbyem ide mbi turizmin dhe ndikimin pozitiv që ky resort ka pasur në promovimin e qytetit si destinacion turistik. Një iniciativë që mund të shërbejë si model bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës,” tha ai.
Nga ana e tij, Fehmi Fetahu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit dhe gastronomisë. “Diskutuam për mundësinë e bashkëpunimit edhe me profesionistë të gastronomisë nga Shqipëria, për të shkëmbyer ide dhe për të krijuar ura lidhëse që do të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve në të dy vendet,” u shpreh ai.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të përbashkët për promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore mes Kosovës dhe Shqipërisë.