Nga rezultatet e projektit të kontrollave sistematike të nxënësve në shkollat fillore të komunës së Gjilanit, të realizuara gjatë vitit 2O17 nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, rezulton se me problem në shikim të jenë evidencuar 246 raste, prej tyre 167 në shkollat e qytetit, kurse 79 në ato të fshatrave.
Duke iu referuar kësaj situate, Fejzullah Berisha, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, për AL “Gjilani.INFO” ka thënë se parametri ku fëmijët kanë më së tepërmi problem, është në të pamur.
“Sipas të gjitha gjasëve, ky problem ka ardhur për shkak të përdorimit të tepruar të teknologjisë, përkatësisht telefonave të “mençur” nga ana e femijëve”, ka thënë ai.
Drejtori Berisha kërkoi që të përdoren të gjitha ndikimet pozitive nga kushdoqoftë, si në familje, shkollë e gjetiu, që fëmijët të kuptojnë dhe vetëdijësohen se qëndrimi i gjatë para telefonave të “mençur” iu sjell telashë në shikime.