Dukuria e kërkimit të lëmoshës nëpër rrugë, po i sjell imazh të keq shoqërisë kosovare. Zyrtarë të institucioneve, përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale dhe organizatave të tjera, thonë se lypësit duhet të identifikohen dhe ky fenomen të merret seriozisht dhe të gjendet një zgjidhje. Ndërkohë, vlerësohet se shkaktar kryesor për shtimin e numrit të lypësve në Kosovë, është gjendja e rëndë ekonomike.
Dukuria e lëmoshëkërkuesve në rrugë, është fakt shqetësues jo vetëm për sigurinë e përgjithshme, por për vetë lypsarët të cilët edhe po e rrezikojnë sigurinë e vet, për shkak se shumica janë të mitur dhe bredhin nëpër rrugë dhe lokale të natës.
Kapiteni Sali Dragidella, nga Policia e Kosovës, thotë se fëmijët në situatë rruge, shpeshherë janë viktimë e formave të ndryshme të abuzimit dhe shfrytëzimit. Ai sqaron se në rrugë, fëmijët lypsarë shpeshherë shoqërohen edhe nga prindërit e tyre. Sipas tij, një numër i madh i tyre vijnë edhe nga Shqipëria.
Megjithatë kjo dukuri po vazhdon të bëhet e zakonshme.
Policia e Kosovës asnjë aksion nuk e ndërmerr pa qenë prezent edhe përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale. Nëse lypsarët janë të moshës madhore, atëherë iniciohen raste për kundërvajtje.
Sipas kapitenit Dragidella, fëmijët që kërkojnë lëmoshë janë të shtyrë nga prindërit e tyre për ushtrimin e kësaj dukurie. Në vitin 2018, janë iniciuar mbi 50 raste për vepër penale të keqpërdorimit dhe braktisjes së fëmijës. Koordinatori i Organizatës “Terres Des Homes”, Fatmir Musliu, thotë se në programin për mbrojtjen e fëmijëve , që nga qershori i vitit që lëmë pas, kanë filluar të merren me fëmijët në situatë rruge dhe janë identifikuar mbi 100 raste të tilla si lëmoshë kërkues.
Kemi arritur të identifikojmë 175 fëmijë në situatë rruge në Prizren dhe Prishtinë. Kemi edhe disa fëmijë të identifikuar edhe në komuna të tjera por në numër më të vogël. Kemi angazhuar dy ekipe të terrenit të cilët merren me këta fëmijë.
Musliu sqaron se pas identifikimit të fëmijëve në situatë rruge, organizata merret edhe me fuqizimin e familjeve, duke ofruar gjësende të nevojshme për fëmijët, si dhe përgatitje për punë për prindërit e tyre.
Tentojmë të arrijmë marrëveshje me prindërit dhe të shohim kapacitetin e prindit, nëse ata kanë ndonjë zanat, nëse jo atëherë në qendrat e trajnimit profesional i dërgojmë për trajnime.
Organizata “Terres Des Homes”, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, së shpejti do të hapë një qendër për përkujdesjen ditore të fëmijëve në situatë rruge, ndërsa synohet që deri në fund të këtij vitit, 6 mijë fëmijë të përfitojnë nga programet e kësaj organizate.
Ndryshe, Strategjia Kombëtare për Parandalimin e Punëve të Rënda për Fëmijët, ndalon punën e tyre. Po ashtu, një raport i Forumit për Parandalimin e Konfliktit, rekomandon që qeveria e vendit duhet të sigurojë strategji efektive për të trajtuar rrënjët e shkaqeve të dukurisë së lëmoshës në rrugë.