Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala thotë se duhet që sa më parë të ridestinohen mjetet në investime zhvillimore.
Ai shtoi se duhet buxhet për sigurinë e vendit, zbatimin e Ligjit të pagave dhe rimëkëmbjen ekonomike të ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Sipas deputetit Shala ka bllokim total të të gjitha projekteve dhe shpërndarje të parasë kesh, duke shtuar se nuk është ndërmarrë asnjë veprim investues në ndërmarrje publike e as në sektorin privat.
“Ne në parim ende nuk kemi parë draftin e planifikimit. Do të duhej të vinte shumë më herët rishikimi buxhetor dhe do të duhej të ridestinoheshin mjetet në situata të investimeve reale zhvillimore. Do të duhej të kishim buxhet të qartë për sigurinë e vendit për shkak të agjendës që kemi linja të forta buxhetore që i përgjigjen situatës së sigurisë. Një buxhet që do të plotësonte kërkesat sociale e në këtë rast do të duhej të kishim buxhet i fillimit të zbatimit të Ligjit të pagave dhe do të duhej të kishim buxhet që do të ndihmonte rimëkëmbjen ekonomike te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, thotë Shala për EO.
“Parimisht Qeveria deri në këtë moment që ka bërë është shpërndarja e mjeteve kesh dhe asgjë tjetër në kuptimin e implementimit të ligjit të buxhetit.
Kemi bllokim total të gjitha projekteve dhe shpërndarje të parasë kesh qoftë në sektorin e energjisë qoftë në sektorë të tjerë siç është çështja e paketës 100 milionësh. Paratë po shpenzohen efektet ekonomike janë zero. Ne kemi pritur se do të kemi investime të mëdha në sektorët prodhues të cilët nuk po ndodhin në këtë vit të qeverisjes Kurti asnjë veprim investues në ndërmarrje publike e as në sektorin privat. Kemi shtangnim në kuptimin investiv dhe zhvillimor të vendit. Janë bllokuar shumë projekte të mëdha kapitale dhe investitorë strategjik”, tha Shala.