Të dashur qytetarë të Gjilanit,
të nderuar qytetarë të Anamoravës,
motra dhe vëllezër,
Gjilani dhe Anamorava janë toka të vlerave të mëdha njerëzore, të rezistencës morale dhe të përgjegjësisë qytetare. Këtu janë rritur breza që, në frymën e Hoxhë Idriz Gjilanit, e kanë kuptuar se liria, dinjiteti, shërbimi ndaj njerëzve dhe besimi në Zotin e Madhërishëm janë të pandashme.
Po nga kjo tokë kanë dalë edhe personalitete e heroj kombëtar si Idriz Seferi, që e dëshmoi me vepër se atdhedashuria, qëndresa dhe përgjegjësia ndaj kombit nuk janë fjalë, por sakrificë.
Për mua, kjo trevë nuk është vetëm hapësirë gjeografike.
Prej 43 vitesh jam dhëndërr i Preshevës – i lidhur me këtë rajon me familje, me miqësi dhe me jetën e përditshme. Këtu nuk vij si mysafir, por si njeri që e njeh nga afër dhimbjen dhe forcën e Anamoravës. Prandaj fjala ime sot është angazhim solemn, jo premtim i lehtë.
Bashkë me kryetarin Abdixhiku kemi marrë një vendim të qartë:
Kosova nuk mund të ecë përpara pa një sistem shëndetësor të fortë, funksional dhe të drejtë.
Jemi të vendosur ta reformojmë atë në themel:
– duke transformuar SHSKUK-në në ndërmarrje publike të nivelit qendror, të menaxhuar profesionalisht;
– duke funksionalizuar Sistemin e Informimit Shëndetësor, që çdo shërbim të jetë i dokumentuar dhe i matshëm;
– duke forcuar Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, që paratë të ndjekin pacientin dhe jo anasjelltas;
– dhe duke ndërtuar Qendrën e Re Klinike Universitare të Kosovës, e cila do të kontraktohet nga fondet e sigurimeve shëndetësore të jashtme, do të gjenerojë të ardhura të mëdha vetanake dhe do të krijojë kushte reale për kthimin e mjekëve dhe infermierëve tanë më të mirë, si dhe për ndaljen e largimit të profesionistëve të rinj shëndetësorë nga vendi.
Qytetarë të Gjilanit,
qytetarë të Anamoravës,
me vlera, me dije dhe me vendosmëri, ky ndryshim është i mundur.
Këtë rrugë e kam nisur para më shumë se dhjetë vitesh.
Tani është koha ta përfundojmë bashkë.
Gjilani e meriton.
Anamorava e meriton.
Kosova e meriton.
Zoti i Madhërishëm e bekoftë Listën zgjedhore të LDK-së me numër 123.
Zoti i Madhërishëm e bekoftë Kosovën me Kryeministër Lumir Abdixhiku.
Faleminderit!

