Një numër i fermerëve kanë mbërritur këtë të hënë para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ku po zhvillojnë një protestë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për ndalimin e grumbullimit të qumështit.
Fermerët janë nisur drejt objektit të ministrisë me traktorë dhe cisterna, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të rishqyrtojnë vendimin dhe të adresojnë shqetësimet e tyre.
Protesta ishte paralajmëruar një ditë më parë nga përfaqësuesit e fermerëve, të cilët kanë bërë të ditur se ndalimi i grumbullimit të qumështit po u shkakton humbje të konsiderueshme dhe po rrezikon veprimtarinë e tyre.
Pritet që gjatë protestës fermerët të paraqesin kërkesat e tyre dhe të kërkojnë një takim me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë.

