Ferrat te dera në objektet e Komunës në Gjilan
Gjilan, 2 tetor /
Shteti dhe Komuna ndërtohen dhe bëhen vetëm nga ata që këto i trajtojnë si të vetat, si shtëpinë e tyre; nga ata që kanë vullnet, kanë motiv dhe janë të ndërgjegjshëm. Por në Komunën e Gjilanit, kjo nuk duket kështu – komunën e kanë mbuluar ferrat!
Ndonëse ditë më parë, Komuna e Gjilanit shpalli aksionin me moton “Ta pastrojmë Gjilanin”, nikoqirët më shumë u kujdesën për “selfi-reklamë” se sa për ta hequr bërllogun nga dera e tyre.
Është e pamundur që menaxherëve të administratës komunale dhe të Urbanizmit, të mos u bien në sy ato shkurre – ferra, mu në ballë të këtyre objekteve, e që veçsa nuk i kanë verbuar. Mbase për mësysh se tjetërkah i kanë qit n’terezi!
Madje, për koincidencë, ferrat që kanë lëshuar shtat dhe janë vjerrur mbi portën hyrëse, janë pikërisht në objektin e drejtorisë së Urbanizmit, në kuadër të së cilës është edhe sektori për mbrojtje të ambientit!
Edhe nga kjo shihet se pushtetarëve të Gjilanit, nuk u intereson asgjë tjetër pos përfitimeve personale. Në vend se t’i shkulin ferrat, ata po e shkulin “shtëpinë” e tyre – komunën.
Shefik Surdulli /këshilltar komunal, nga PDK Gjilan/