Gjilani bëhet nikoqiri i një ngjarjeje të rëndësishme kulturore mbarëkombëtare, teksa këtë vit organizohet Festivali i Këngës Folklorike, një aktivitet unik që për herë të parë mbledh artistë, këngëtarë solist nga trevat shqiptare në një skenë të vetme nën përcjelljen e orkestrës folklorike autentike gjilanase.
Festivali, i konceptuar si një folk festival me rrënjë tradicionale, vjen nën organizimin e OJQ “Qendra Kulturore Cello Duo”, si një iniciativë e drejtoreshës energjike Arzie Jusufi, në bashkëpunim të ngushtë me partnerin e saj profesional Fazli Berisha si ideator kryesor për nismën e këtij festivali më se të nevojshëm për qytetin e Gjilanit dhe udhëheqësi artistik instrumentalisti Afrim Leka.
Të dy së bashku kanë bashkuar vizionet dhe përvojën e tyre për të sjellë në Gjilan një festë të kulturës shqiptare me standarde të reja artistike.
Qëllim kryesor i festivalit është ruajtja dhe promovimi i këngës folklorike shqiptare në të gjitha format e saj tradicionale duke i ofruar publikut një përvojë autentike artistike,si dhe vendosja e Gjilanit në hartën kulturore mbarëkombëtare me një aktivitet vjetor të qëndrueshëm.








