Festivali ReMusica përmbylli edhe një edicion të suksesshëm, duke i dhënë jetë qytetit me performanca nga artistë të shumtë vendor e ndërkombëtarë.
Programi këtë vit trajtoi temën e ndryshimeve klimatike dhe u bë thirrje për të rritur ndërgjegjësimin tek publiku për veprim klimatik.
Një prej festivaleve kryesore të jetës kulturore në Kosovë, me fokus të veçantë në muzikën klasike/moderne edhe kësaj radhe solli performanca të mrekullueshme.
Edicioni i 21-të u përmbyll me kitaristin Petrit Çeku dhe Kuartetin harkor “Viva String Quartett”, të cilët përgjatë dy orësh me interpretimin e tyre i dhanë magji skenës dhe dhuruan një performancë mahnitëse për të pranishmit.
Nata filloi me interpretimin e veprës së kompozitorit ukrainas Maxim Shalygin ndërsa u mbyll me veprën “Guitar Quintet op.143” nga kompozitori Mario Castelnuovo-Tedesco.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.