Policia e Kosovës, në prag të festave të fundvitit, sot ka shpërndarë fletëpalosje – këshilla për qytetarët, në mënyrë që ata t’i marrin masat e nevojshme që festat e fundvitit të kalojnë pa incidente.
Nga policia kanë thënë se patrullat e policisë rajonale janë të fokusuara në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në mbarë rajonin për sigurinë e secilit qytetar.
“Pjesë e kësaj fushate është edhe shtimi i prezencës policore në ambiente të hapura, në sheshe, në lokale të ndryshme, ku mbahen organizime festive, si dhe në trafikun rrugor që festat e fundvitit të kalojnë pa incidente dhe aksidente në rrugë”, thuhet nga policia.
Policia përmes kësaj fushate apelon te qytetarët që të bëjnë kujdes për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, me theks të veçantë që:
Përdorimi i armëve në festa dhe gëzime mund të shëndrrohet në tragjedi, po ashtu është edhe e ndaluar me ligj.
Personat e mitur duhet të rrinë larg nga armët e zjarrit .
Përdorimi i armëve lejohet vetëm në vendet e sigurta dhe të licencuara për përdorim ( Poligon).
Personat fizik që kanë armë personale dhe të cilët posedojnë leje nga MPB duhet t’i mbajnë në vend të sigurt.
Përdorimi i fishekzjarreve është i rrezikshëm për fëmijë.
Ndezja e fishekzjarreve duhet të bëhet dhe të mbikëqyret nga të rriturit.