FC Drita për herë të katërt në Evropë, flet drejtori i saj Feti Murseli
Klubi i Futbollit Drita, që ka një traditë të gjatë në futbollin kosovar që nga viti 1947, sot me të drejtë çmohet dhe vlerësohet lartë nga të gjithë. Pas shumë përpjekjeve dhe sakrificave të gjeneratave të tëra, ky klub tashti ka bërë emër edhe në Evropë, duke qenë ekipi më i vlerësuar në garat evropiane. Mjafton të rikujtohet ndeshja e luajtur me ekipin e madh Feyonoord nga Roterdami, i cili sivjet do të luaj në finale të Europa Conference League, por që asnjë ekip nuk i kishte bërë më shumë ballë se sa Drita, të cilën kishte arritur t’a eliminojë vetëm në minutën e fundit të ndeshjes.
Janë të pamohueshme sukseset e Dritës edhe në kohën para pavarësisë, sikurse edhe ato të mëvonshme, por sukseset më të mëdha ky klub i arriti viteve të fundit, kur në krye të tij erdhën presidentët Valon Murseli dhe Flamur Bunjaku si dhe drejtorët Feti Murseli dhe Valon Zymberi.
Pa dyshim se meritë në sukseset e FC Drita ka drejtori Feti Murseli, mbi të cilin bie barra më e madhe e organizimit të klubit.
Ai është i palodhshëm dhe i përpiktë në punë, andaj duke qenë strumbullar i sukseseve të FC Drita, klubi bardh e kaltër nga 21 qershori i vitit 2016, kur Feti Murseli ishte emëruar në këtë detyrë, ia ka dalë që dy herë të jetë Kampion i Kosovës në Futboll, një herë fitues i Superkupës dhe sivjet është hera e katërt që merr pjesë në garat evropiane, edhe atë në të tri kompeticionet, Europa Champions League, Europa League dhe Europa Conference League, gjë që e ka bërë klubin gjilanas më të suksesshmin në Kosovë dhe gjithsesi se është meritor në rangimin më lart të futbollit kosovar.
Feti Murseli është fjalëpak, por shumë punëtor e siç thekson ai, FC Drita nga viti në vit po bëhet klub më i fortë më i organizuar e po shkon larg e më larg në garat evropiane. Sipas tij, gjithsesi se edhe sivjet pritet që ky klub të rrugëtoj suksesshëm në Evropë./RadioStar/