Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar me pikëllim për ndarjen e hershme nga jeta të gazetares dhe zëdhënëses së FC Drita, Elife Sherifi.
Përmes një telegrami ngushëllimi, presidenti Agim Ademi ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Sherifi dhe komunitetin e futbollit, duke vlerësuar kontributin dhe profesionalizmin e saj ndër vite.
Telegram ngushëllimi për ndarjen e hershme nga jeta të Elife Sherifit
E nderuara Familje Sherifi,
Të nderuar anëtarë të FC Drita,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të më të dashurës suaj, Elife Sherifi. Në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Elife Sherifi ishte një profesioniste e dalluar në fushën e gazetarisë, por edhe bashkëpunëtore e përkushtuar e FC Drita, ku për më shumë se gjashtë vite shërbeu si zëdhënëse e klubit. Ajo me profesionalizmin dhe me punën e saj la gjurmë të veçanta në komunikimin dhe imazhin e klubit, duke fituar respektin dhe vlerësimin e të gjithëve që patën fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.
Në këto momente të rënda dhimbjeje, jemi pranë jush dhe ndajmë pikëllimin për këtë humbje të madhe, e cila nuk prek vetëm familjen dhe klubin, por mbarë komunitetin e futbollit në Kosovë.
Kujtimi për Elife Sherifi do të mbetet i përhershëm tek të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Me respekt,
Agim Ademi
President i FFK-së

