Një ndër pikat e strategjisë së Federatës së Futbollit të Kosovës është edhe masivizimi i futbollit. Në kuadër të kësaj strategjie nëpërmjet programit Grassroots dhe në bashkëpunim me institucionet arsimore të vendit, FFK ka filluar të zbatojë projektin e futbollit në shkollat fillore. Sot është mbajtur aktiviteti i parë në shkollën fillore “Skënderbeu” në fshatin Perlepnicë të Gjilanit, me klasat e treta, të moshës 9-10 vjeç për djem dhe vajza. Presidenti Agim Ademi e ka vlerësuar fillimin e këtij projekti si shumë të rëndësishëm, pasi qëllimi i tij është shtrirja e futbollit në çdo cep të vendit dhe zbulimi i talenteve qysh në moshën e re. “Jam i lumtur që kemi filluar me këtë projekt, pasi nëpërmjet tij kemi arritur ta përfshijmë futbollin nëpër shkollat tona. Ky projekt është pjesë e programit ‘Grassroots’, të udhëhequr nga Sanije Krasniqi, e ku bashkëpunojnë trajnerët dhe instruktorët e regjioneve së bashku me mësimdhënësit e edukatës fizike nëpër shkolla. Ky është një projekt ambicioz që synon zhvillimin dhe masovizimin e futbollit që nga nxënësit e shkollave fillore. Me këtë projekt do t’u japim mundësi të barabartë të gjithë fëmijëve për ta treguar talentin e tyre, në mënyrë që në të ardhmen ta ndjekin ëndrrën e tyre”, ka theksuar presidenti Ademi. Ndërkaq, udhëheqësja e këtij projekti, Sanije Krasniqi ka thënë se nëpërmjet këtyre aktiviteteve po e ndihmojnë masivizimin e futbollit, duke bashkëpunuar ngushtë me shkollat fillore, mësimdhënësit, klubet dhe trajnerët e futbollit. “Nëpërmjet këtij projekti po ua hapim rrugën fëmijëve që të merren me futboll dhe në të ardhmen të jenë pjesë e klubeve në regjionet e tyre.
Është vërtetë kënaqësi kur i sheh fëmijët se me sa shumë dashuri e kanë pritur këtë projekt dhe entuziazmin që kanë për futbollin, prandaj është obligim i yni që t’u kushtojmë sa më shumë vëmendje të gjithë të përfshirëve në këtë projekt”, ka thënë Krasniqi. Ky projekt do të realizohet në shkollat fillore të të gjitha regjioneve.