Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur ta bëjë një ndryshim në shitjen e biletave për ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2020 të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Federata ka vendosur duke mos ia shitur më shumë se dy bileta një personi të vetëm, në përpjekje për t’u dhënë mundësi sa më shumë njerëzve të pajisen me biletë.
Një person mund t’i blejë dy bileta në maksimum dhe jo tri si deri tani, ka konfirmuar për Gazetën Express, kreu i futbollit kosovar, Agim Ademi.
Kosova e mbyll fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2020 si nikoqire e Anglinë më 17 nëntor në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në një takim i cili me gjasë do të jetë përcaktues për fatin e verdhekaltërve për një vend në evropian, varësisht sesi do të rrjedhë ndeshja e parafundit tri ditë më herët kundër Republikës së Çekisë në Pilsen.
Dhe interesimi për ndeshjen ndaj anglezëve pritet të jenë më i madhi deri tani nga tifozët dardanë.
Prandaj, kryetari i FFK-së Ademi thotë se organi qeverisës i futbollit në vend ka vendosur ta ulë numrin e biletave maksimale që një person mund t’i blejë, në përpjekje për t’u dhënë mundësi sa më shumë personave të ndryshëm të blejnë bileta.
“Në tentim për t’u dhënë mundësi sa më shumë njerëzve të shikojnë ndeshjen nga stadiumi Fadil Vokrri, ne kemi vendosur që një person mund t’i blejë në maksimum dy bileta dhe jo tri si deri tani”, ka thënë Ademi.
Ai thotë se i vjen keq që shumë persona nuk ia dalin ta shohin Kombëtaren dardane nga afër, për shkak se stadiumi Fadil Vokrri nuk i zë më shumë se 13 mijë veta.
Ai zbuloi, po ashtu, se FFK-ja e ka në plan ta zgjerojë stadiumin në mënyrë që ta rrisë numrin e ulëseve. “Unë ndihem keq që nuk po mund t’ua plotësojmë kërkesat të gjithëve për ta parë ndeshjen, për shkak të kapacitetit të vogël të stadiumit, prandaj e kemi në plan ta rrisim numrin e ulëseve”, shtoi ai
Që prej kur Kosova nisi t’i zhvillojë ndeshjet një vjet më parë në stadiumin Fadil Vokrri, interesimi për t’i parë ndeshjet aty nga tifozët ka qenë vazhdimisht jashtëzakonisht i madh.
Shpesh ka pasur mbi 100 mijë kërkesat për rreth 13 mijë ulëse për ndeshjet e Kosovës në shtëpi.