“Federata e Futbollit të Kosovës ka shqiptuar dënime të ashpra ndaj FC Ferizajt pas ngjarjeve që ndodhën në finalen e Kupës së Kosovës kundër Dukagjinit.
Komisioni Disiplinor dhe i Etikës ka vendosur që FC Ferizaj të dënohet me mos pjesëmarrje në Kupën e Kosovës për dy vitet e ardhshme, pas incidenteve të ndodhura në minutat shtesë të finales së zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Sipas vendimit të FFK-së, futbollistët, stafi teknik dhe zyrtarët e Ferizajt kishin braktisur fushën për disa minuta pas një situate të kontestuar, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes klubi kishte refuzuar të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të ndarjes së medaljeve.
Përveç dënimit të klubit, masa të rënda disiplinore janë shqiptuar edhe ndaj zyrtarëve dhe futbollistëve të skuadrës.
Kryetrajneri Arsim Abazi është dënuar me ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare për një vit, ndërsa të njëjtin dënim e ka marrë edhe drejtori sportiv Genc Hyseni.
Ndërkohë, zyrtarët e klubit Betim Isufi dhe Arben Qerimi janë dënuar me nga gjashtë muaj ndalim të pjesëmarrjes në aktivitetet e organizuara nga FFK-ja.
Dënime kanë marrë edhe futbollistët e skuadrës. Betim Haxhimusa është pezulluar për tetë ndeshje zyrtare, ndërsa Kushtrim Shabani është dënuar me katër ndeshje moslojë.”

