Kosova do të përballet me Maltën më 11 tetor në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë në kuadër të Ligës së Kombeve
Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë edhe dy ndeshje tjera në kuadër të Ligës së Kombeve në muajin tetor, fillimisht do të përballet me Maltën në Prishtinë dhe më pas me Ishujt Faroe në udhëtim, raporton GazetaMetro.
Kosova në tetor do të luajë përsëri në stadiumin që mban emrin e legjendës Fadil Vokrri, ndërsa FFK tani ka dhënë sqarime se si do të shiten biletat për këtë takim, pasi në ndeshjen e kaluar me Ishujt Faroe biletat u shitën në kohë rekorde dhe më pas të njejtat përfunduan në tregun e zi.
Një biletë që kushtonte vetëm 2 euro, në ditën e ndeshjes shitej 20 euro dhe kjo ka bërë që qytetarët të jenë tejet të pakënaqur me mënyrën se si u shitën biletat për takimin kundër Ishujve Faroe.
Madje kishte persona që kishin vendosur biletat në ‘Merrjep’.