Federata e Futbollit të Kosovës ka lëshuar një thirrje për tifozët në përkrahje të Kosovës për ndeshjen finale për kualifikim në Kampionatin Botëror kundër Turqisë.
Në thirrjen e federatës thuhet se ndeshja e sotme nuk është për të qëndruar ulur në stadium dhe parë ndeshjen si spektator.
FFK ka bërë thirrje që të respektohet himini i Turqisë, por me të filluar loja kërkohet përkrahje e madhe.
“Respekti për kundërshtarin është vlerë dhe duhet të mbetet i tillë sidomos gjatë intonimit të himnit, pasi përballemi me një shtet mik. Por sapo topi të nisë të rrokulliset, stadiumi “Fadil Vokrri” duhet të shndërrohet në një arenë ku edhe kundërshtari i sotëm e ndjen peshën e një kombi të tërë. Një vend ku çdo metër i fushës fitohet edhe nga tribuna. Mos e ndal këngën kur topin e kemi ne. Mos e ndal atmosferën kur e kanë ata. Sepse energjia që krijohet nga tribuna është më shumë se atmosferë, është presion, është motivim, është avantazh”, thuhet nga FFK.
Mesazhi i plotë i FFK-së
Ka momente në histori që nuk përsëriten. Momente që nuk vijnë dy herë, që nuk të japin luksin e hezitimit. Sonte është një i tillë.
Sot nuk është ditë për të qëndruar ulur në tribunat e stadiumit. Nuk është mbrëmje për ta parë ndeshjen si spektatorë të qetë. Sot është momenti kur secili prej nesh duhet të jetë në këmbë, me zërin në maksimum, me zemrën që rreh për një emër të vetëm: Kosovë.
Jemi vetëm një hap larg Botërorit. Një hap që për shumëkënd ka qenë ëndërr e largët për dekada. Një shans që mund të vijë vetëm një herë në jetën tonë. Dhe kur historia të troket në derë, nuk hapet me heshtje, hapet me zhurmë, me pasion, me shpirt.
Stadiumi nuk është teatër. Nuk ka skenar të shkruar, nuk ka audiencë pasive. Ka vetëm një rol për të gjithë: të jemi lojtari i dymbëdhjetë. Dardanët në fushë kanë nevojë për atë shtysë që nuk matet me statistika, por ndjehet në çdo sprint, në çdo duel, në çdo goditje.
Respekti për kundërshtarin është vlerë dhe duhet të mbetet i tillë sidomos gjatë intonimit të himnit, pasi përballemi me një shtet mik.
Por sapo topi të nisë të rrokulliset, stadiumi “Fadil Vokrri” duhet të shndërrohet në një arenë ku edhe kundërshtari i sotëm e ndjen peshën e një kombi të tërë. Një vend ku çdo metër i fushës fitohet edhe nga tribuna.
Mos e ndal këngën kur topin e kemi ne. Mos e ndal atmosferën kur e kanë ata. Sepse energjia që krijohet nga tribuna është më shumë se atmosferë, është presion, është motivim, është avantazh.
Bileta për në Botëror nuk është vetëm një arritje sportive. Është një mundësi për të treguar Kosovën para botës, për të promovuar identitetin, historinë dhe krenarinë tonë në skenën më të madhe të futbollit.
Sonte nuk luan vetëm një ekip. Sonte luan një komb i tërë.
Beso. Këndo. Brohorit.
Sepse sonte, historia mund të shkruhet me zërin tënd.

