Shtëpia më e madhe e futbollit, FIFA, ia ka kushtuar një shkrim Kombëtares së Kosovës në faqen e saj zyrtare
Kombëtarja e Kosovës po tregon paraqitje dinjitoze në Ligën e Kombeve dhe deri tani ka shënuar dy fitore dhe dy barazime, është e para në grup duke lënë pas një Përfaqësuese si ajo e Azerbajxhanit, e cila në fillim llogaritej favorite e grupit, transmeton GazetaMetro.
Dardanët’ nuk kanë pësuar humbje saktësisht që 374 ditë, ndërsa në ndeshjet e tetorit mposhtën Maltën 3-1 dhe barazuan 1-1 me Ishujt Faroe.
FIFA me anë të një shkrimi të publikuar në faqen zyrtare ka thënë se Kombëtaren e Kosovës e pret një e ardhme e ndritur.
Duhet ta mbani mend se ne filluam me asgjë. Federata jonë ka bërë një punë të mrekullueshme gjatë viteve të fundit. Stadiumi tani është licencuar dhe ne e kemi ligën tonë. Ne mund ta zhvillojmë stilin tonë të lojës dhe
lojtarët kanë filluar të kenë më shumë përvojë”, ka thënë Ujkani, kapiten i Kombëtares së Kosovës.
“Jemi shumë të lumtur me këtë, dhe mendoj se mund të arrijmë edhe në top 100-en e rangimit të FIFA-s pas disa muajve. Ky është qëllimi ynë. Pasi ta arrijmë këtë, do të vendosim synime të tjera.
“Puna ime është t’i mbajë të tjerët të lumtur, pasi që ne jemi të suksesshëm kur jemi në humor të mirë. Ne duhet të punojmë si ekip dhe të kalojmë mirë së bashku. Edhe kur lojtarët e rinj janë në bankën rezervë, unë tentoj të flas me ta dhe të krijoj një atmosferë pozitive. Ne jemi si familje. Pas dy apo tre viteve, Kosova do të jetë përmirësuar mjaftueshëm sa edhe ta fitojë një grup në ndonjë garë”.
Kampionati Evropian i vitit 2020, i organizuar nga UEFA, është një ëndërr të cilën Kosova po tenton ta bëjë realitet.
“Në fillim, tifozët tanë nuk kishin durim dhe menduan se ne do të arrinim ta fitonim grupin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës menjëherë, por askush nuk mund ta priste një gjë të tillë. Kemi mësuar shumë nga kjo – kur duhet ta sulmojmë kundërshtarin dhe kur të mbrohemi”, ka shtuar Ujkani.
“Kur Azerbajxhanit, para disa javëve, ne vetëm e largonim topin nga zona për t’u larguar presionin nga kundërshtari. Ky ishte një mësim i vlefshëm për mua dhe bashkëlojtarët e mi. Ne nuk rrezikojmë aq shumë tani dhe vazhdimisht po tentojmë ta gjejmë baraspeshën mes sulmit dhe mbrojtjes”.
“Liga vendore na ndihmon shumë me këtë gjë. Lojtarët janë duke u rritur me rolet e tyre dhe janë duke u sfiduar te klubet e tyre, dhe kjo, natyrisht, i ndihmon edhe Kombëtares”.
Kur u pyet se me cilat Kombëtare do të dëshironte të përballej ndonjë ditë, kapiteni 30-vjeçar u përgjigjë kështu:
“Brazilin ose Argjentinën! Ne do të ndeshemi me kombëtaret evropiane gjatë ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian, por një duel me Lionel Messin, Neymarin dhe lojtarë të tjerë të klasit botëror do të ishte e mrekullueshme për vendin tonë,” përfundoi Ujkani.
Kosova në muajin nëntor do të zhvillojë edhe dy përballje shumë të rëndësishme, së pari ndaj Maltës në udhëtim dhe më pas në shtëpi e pret Azerbajxhanin.