Janë hapur veprimtaritë letrare të edicionit të 16 të manifestimit tradicional kulturor, i njohur tashmë si “Vjeshta letrare e Gjilanit”, që realizohet nga Asociacioni alternative i shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan, Ars Clubi “Beqir Musliu” si dhe Biblioteka e qytetit, “Fan S. Noli”.
Gjatë këtyre javëve të manifestimit letrar do ketë një laramani mjaft të pasur të veprimtarive letrare që do të zhvillohen të shtunave.
Në hapje të manifestimit u prezantuan veprat e reja poetike të vitit 2025 të krijuesve nga Anamorava.
Po ashtu u bë paraqitja e veprave të reja në prozë dhe kritikë letrare gjatë vitit 2025.
Më pas u përuruan veprimtari të shumta, takime letrare me shkrimtarë, si dhe veprimtaria për mysafirin e “Vjeshtës letrare”.
Drejtori i Bibliotekës “Fan S. Noli” Qazim Azizi, tha se vjeshta letrare”, mund të thuhet se është ndodhia më e madhe dhe sigurisht ngjarja më jetëgjatë letrare e qytetit tonë Gjilanit.
Sipas tij as vet themeluesi, poeti e intelektuali Sabit Rrustemi, që edhe si udhëheqës i ArsClub- “Beqir Musliu” nuk do ta kishte menduar se do të kishte këtë jetëgjatësi.
“Të kujtojmë se, që nga edicioni i parë çdo vit jemi befasuar me libra të rinj, një monografi, një roman apo edhe ndonjë botim biografik, kemi marrë në dorë një botim historik shumë interesant, apo edhe një autor të një jetëshkrimi që kanë mbetur gjithsesi në mendjen e të gjithëve”, tha drejtori Qazim Azizi.
Pastaj poezitë nga Din Mehmeti, përkatësisht nga libri më poezi të zgjedhura i këtij autori, të cilin e përgatiti prof. Dr. Anton Nikë Berisha dhe e botoi shtëpia botuese “Beqir Musliu” e Gjilanit, i deklamoi krijuesja e re, Blinerë Hajdari.
U paraqitën botimet e reja poetike nga shtëpia botuese “Rozafa”, përkatësisht tri libra me autorë nga Gjilani: Avdush Canaj “Rritësh për një puthje” (poezi për fëmijë), Ramadan Mehmeti,
“77 poezi për qytetin tim” dhe Sabit Rrustemi, “Shprush nëpër dej” (këto dy të fundit, poezi për të rritur).
Për një vlerësim të këtyre botimeve, foli shkrimtari dhe kritiku Prend Buzhala.
Më pas poezi nga Sherafedin Kadriu, përkatësisht nga vëllimi i tij poetik “Kur vdesin ngjyrat” i botuar para pak kohësh, i deklamoi, poetja, Linditë Ramushi Dushku.
U bë edhe paraqitja e botimeve të reja poetike gjatë këtij viti, nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, përkatësisht të këtyre librave: Muhamet Halili, “Kasaforta erotike”,
Hasan Muzli Selimi, “Shtjella të gurta”, Din Mehmeti, “Psherëtima djegagurë” (përzgjedhje poezish, me parathënie të shkrimtarit dhe studiuesit, prof.dr.Anton Nikë Bërishës), Sherafedin Kadriu, “Kur vdesin ngjyrat” “Yllësi poetike”, përzgjedhje poetike nga 20 nobelistë, përkthyer prej Anton Paplekës e me parathënie të prof. Anton Nikë Bërishës, Anton Nikë Berisha, “Prushi i bukurisë, botimi i pestë brenda dhjetë vitesh si dhe Anton Paplëka, “Alfabeti i dhimbjes”, që të gjitha këto shtatë vëllime, janë edituar brenda këtij viti nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”.
Poeti dhe kritiku letrar, Nexhat Rexha, foli se ç’vlera letrare i sjellin këta tituj letërsisë sonë.
Veprimtaria vijuese do të jetë më 25 tetor 2025, në Bibliotekën “Fan S. Noli” të Gjilanit.