Komuna e Prishtinës ka filluar ekzekutimin e mjeteve financiare për të gjithë qytetarët e saj që kanë aplikuar pasi kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19.
Sipas njoftimit të komunës, rastet me PCR janë marrë në listat e IKSHP-së dhe nga klinikat private të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë, kurse rastet e konfirmuara me testet serologjike dhe rapide janë marrë nga Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Tutje në njoftim thuhet se sot do ekzekutohen mjetet për 6,704 aplikues.
Kujtojmë që Thesari i Republikës së Kosovës në Ministrinë e Financave i ka dhënë qasje Komunës së Prishtinës që të kryhen pagesat e stagnuara për të prekurit me COVID-19 dhe grantin për biznese të vogla si shkak i mbylljes së vitit fiskal në dhjetor të vitit 2020.
Në ndërkohë para disa ditësh, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se këto pagesa nuk po ekzekutohen si shkak i mos hapjes së vitit fiskal nga Ministria e Financave.
“Pagesat (nga llogaria e Shtetit te llogaritë personale) ekzekutohen nga Thesari i Republikës së Kosovës, pas dorëzimit të kërkesës për secilën pagesë nga Komuna. Sipas legjislacionit në fuqi, niveli qendror e ka mbyll Thesarin në fund të dhjetorit për të përmbyll vitin financiar dhe ende nuk është rihapur. Në momentin që Thesari hapet dhe mjetet alokohen për Komunat sipas Ligjit në Fuqi, pagesat do të vazhdojnë për të gjithë përfituesit”, ka thënë Ahmeti.
Qysh nga fillimi i ndihmës në vlerë 50 euro për të prekurit me COVID-19, kanë përfituar mbi 400 persona, kurse me hapjen e vitit financiar pritet të përfitojnë edhe rreth tetë mijë qytetarë.