Tanimë ka filluar numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Numërimi i tyre është faza e radhës pas verifikimit të tyre.
Numri i zarfeve me fletëvotime me kusht në nivel vendi ka qenë 26 mijë e 382 dhe pas verifikimeve janë konfirmuar 24 mijë e 804 ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 578.
Ndërsa, vota të personave me nevoja të veçanta në nivel vendi kanë qenë 2 mijë e 142, por pas procesit të verifikimit janë konfirmuar 2 mijë e 15 dhe janë refuzuar 127, njofton Klan Kosova.
Pra, do të numërohen 24 mijë e 804 vota me kusht dhe 2 mijë e 15 vota të personave me nevoja të veçanta, që në total bëjnë 26 mijë e 819.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se për të kryer këtë proces do të nevojiten dy ditë kohë.
“Po mundohemi që këtë proces ta kryejmë sa më shpejt të jetë e mundur dhe besoj se do të na duhen dy ditë kohë që të numërojmë të gjitha këto vota”.
Elezi tha se njëherë nuk ka ankesa të tjera për rinumërim, por nëse ka ndonjë të tillë nga QNR-ja do të informojnë.
“Pasi të përmbyllim procesin e numërimit janë procedura të tjera që zhvillohen pas përfundimit të numërimit. Të gjitha këto i hapin rrugën KQZ-së që të shpallë rezultatet në fillim të javës së ardhshme”.