Filmi ‘Më fal’, “Forgive me”, me regji të Besim Ugzmajli është seleksionuar në / OSCAR® qualifying film festival / Atlanta Film Festival 2018.
Ky film trajton temën e luftërave në Siri dhe përfshirjen e të huajve në të. Një nga personazhet e këtij filmi, ai i një imami kosovar, që ndërmjetëson shkuarjen në zona të konfliktit, luhet nga aktori, Ekrem Sopi, transmeton 2LONLINE.
Sopi tregon për pjesëmarrjen në këtë festival dhe ecurinë e këtij projekti kinematografik, ‘Më fal’.
“Filmi deri më tani ishte pjesë e shumë festivaleve prestigjioze botërore, festivale të klasit A, ndërsa tashmë jemi në konkurrencë zyrtare edhe në ‘Atlanta Film Festival’. Festival ky i certifikuar nga festivali më i madh i filmit “Oscar’, e nëse këtu fitojmë atëherë do të jemi në oscar’, ka thënë Sopi për 2LONLINE.
Filmi kosovar “Më fal” është xhiruar në Kosovë për një periudhë të shkurtër kohore, ndërsa do jetë pjesë e një festivali për të 17-tën herë me radhë, në rrugëtimin e deritanishëm të tij.
“Jemi shumë të lumtur që një film i punuar nga kursimet tona, tanimë është pjese edhe e një festivali, tjetër, që i bije i 17-ti me radhë, edhe atë vetëm brenda 3 muajve. Urime të gjithë ekipës dhe shpresojmë të na hapen dyert edhe për festivale të tjera”, ka thënë ndër të tjerash, aktori Ekrem Sopi.
Festivali ‘Atlanta Film Festival – 2018” mbahet nga 13-22 Prill, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në të marrin pjesë 7,600 filma të realizuar vitin e fundit, prej tyre 58 filma të metrazhit të gjatë, 150 filma të shkurtë, nga 56 vende të botës.
/Elife Sherifi/