Njësia Speciale Intervenuese (NJSI) ka pezulluar protestën e paralajmëruar që të mbahej sot në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, vendimi është marrë pasi NJSI dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME) kanë zhvilluar takim me drejtorin e Përgjithëm të PK-së, Gazmend Hoxha, përcjell teve1.info
Bëhet e ditur se gjatë këtij takimi, Hoxha ka informuar këto njësi se kryeministri Albin Kurti ka premtuar që javën e ardhshme do t’i pres në takim menaxhmentin e PK-së dhe përfaqësuesit e këtyre njësive për t’i dëgjuar kërkesat e tyre.
“Deri te pezullimi i protestës ka ardhur pasi Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, i shoqëruar nga menaxhmenti i PK-së, gjatë takimit me këto njësi i ka informuar se Kryeministri i Republikës së Kosovës ka premtuar që javën e ardhshme do ti pres në takim zyrtar menaxhmentin e PK-se së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive, për ti diskutuar kërkesat e tyre, respektivisht për të gjetur një zgjidhje. Andaj, protesta e paralajmëruar për sot është pezulluar deri në ndonjë vendim tjetër”, thuhet në njoftim.
Pjesëtarët e NJSI-së kanë protestuar më 1 nëntor për të shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera.
Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë. Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.
Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.