Myslimanët e Kosovës po festojnë Fitër Bajramin, ndryshe nga herave tjera.
Për shkak të pandemisë Covid-19, nuk është organizuar falja e Fitër- Bajramit në xhamitë e Kosovës.
Myftiu Naim Tërnava me rastin e festës së Fitër Bajramit, ka dhënë mesazhin e tij në emër të Bashkësisë Islame në Kosovë.
Ai ka thënë se është me ndjenja të përziera si asnjëherë më parë për shkak se këtë mesazh po e përcjell pa xhemat në Xhaminë e Madhe në Prishtinë për shkak të rrezikut nga përhapja e pandemisë Covid-19, njofton Klan Kosova.
Tërnava i ka ftuar qytetarët që në këtë ditë të madhe për të gjithë myslimanët të kenë durim edhe për pak kohë derisa të kalojë rreziku, duke shmangur vizitat familjare me qëllim të ruajtës së shëndetit.
“Sot jam para jush me ndjenja të përziera si asnjëherë më parë ngase është hera e parë që po ju drejtohem pa xhemat. Megjithatë sot besimtarët myslimanë kanë arsye të ndihen të gëzuar sepse festojnë njërën prej festave më të rëndësishme në Islam”.
“Agjërimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit është themeltarë në besimin Islam. Përmes këtij ibadeti që në vete përmban sakrificën – manifestohet besimi”.
“Pas kryerjes së këtij ibadeti, besimtari ka arsye që të ndjehet i lumtur dhe i gëzuar. Ka arsye që të festojë me familjarët sepse ka kryer një urdhër të Allahut”.
Ai ka theksuar se agjërimi i sivjetmë ka qenë i ndryshëm për dallim nga vitet tjera.
“Qe një kohë par shkak të pandemisë [Covid-19] jemi detyruar që të jemi të izoluar në shtëpitë tona”.
“Të gjitha këto vendime jo të lehta janë marrë në të mirë të shëndetit publik sepse këtë e kemi edhe obligim në fenë tonë. Është urdhër nga Zoti i cili na drejtohet duke thënë ‘Assesi mos u futni jetën tuaj në rrezik’”.
“Unë e kuptoj ndjesinë e besimtarëve që sot nuk janë në xhami për ta falur Bajramin. Ky realitet paraqet një ndjesi jo të këndshme, por është domosdoshmëri për shëndetin publik”.
Në emër të Bashkësisë Islame në Kosovë, Tërnava ua ka uruar të gjithë besimtarëve festën e Fitër Bajramit duke iu lutur Allahut që t’i pranojë ibadetet e tyre.
“Në këtë ditë Bajrami ju ftoj që të keni durim edhe për pak kohë derisa të kalojë rreziku. Ju ftoj që të shmangi vizitat familjare vetëm e vetëm për ruajtjen e shëndetit tonë”.
“Lutuni në shtëpitë tuaja, bëni namaz, festoni, uroni njëri-tjetrin me mjetet komunikuese. Dashtë Zoti që sa më shpejt t’i kthehemi normalitetit”.
“Në këtë ditë Bajrami ju ftojë që të keni durim edhe për pak kohë derisa ta kalojmë rrezikun nga virtusi Covid-19, ju ftoj që të shmangeni vizitat familjare, miqtë dhe farefisit, vetëm e vetëm me qëllim të ruajtjes së shëndetit tonë”, tha ai, duke lutur Zotin që sa më parë të kalojë pandemia dhe t’i kthehemi normalitet.
Kurse, në fund luti besimtarët që të kenë kujdes edhe për disa ditë.