LDK-ja ka gabuar parimisht e taktikisht me shkarkimin e Vjosa Osmanit. Koha e shkarkimit të politikanëve që mendojnë ndryshe është dashur të perëndonte shumë vite më parë.
Edhe nëse Mustafa&Co. kanë gjetur ndonjë bazë statutore, megjithatë Vjosa Osmani është deputetja më e votuar nga elektorati i LDK-së. Kur kësaj i shtohet percepcioni se një grusht burrash po e shkarkojnë një grua, kjo e bën shkarkimin akoma më të pakëndshëm.
Por, nga ana tjetër, Vjosa Osmani ka votuar kundër zgjedhjes së dy kryeministrave të vetëm që i ka pasur LDK-ja tash e 20 vite. Po ashtu, Vjosa Osmani ka votuar kundër demarkacionit të propozuar nga kryeministri i LDK-së, Isa Mustafa, por ka votuar pro demarkacionit të njëjtë kur është hedhur në votim nga kryeministri Haradinaj.
Për më tepër, ajo publikisht e ka theksuar afërsinë e saj me Albin Kurtin, rivalin kryesor të partisë. Të deklarohesh pro rivalit kryesor të partisë dhe të jesh kundër të gjitha qeverive që i udhëheq partia jote, në anën tjetër ta mbash pozitën e nënkryetares së partisë, diçka nuk shkon këtu.
Fundja, Osmani është votuar për tendencat e saj reformatore brenda LDK-së dhe jo për afërsinë e saj me Kurtin. Në të kundërtën, ata votues do ta votonin direkt Kurtin, pa shkuar tek ai tërthorazi përmes Osmanit.
Fitim Salihu: LDK-ja ka gabuar parimisht e taktikisht me shkarkimin e Vjosa Osmanit
Ndani këtë artikull