Fjala e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan, drejtuar aktivistëve, kryetarëve të pikave, anëtarëve të kryesisë dhe qytetarëve.
Të nderuar aktivistë, kryetarë të pikave dhe anëtarë të kryesive, këshilltarë komunal, anëtarë të kryesisë qendrore dhe strukturave tjera të LVV.
Po takohemi në një situatë jo edhe gjithaq të favorshme nëpër të cilën po kalon LVV – qendra në Gjilan dhe në përgjithësi edhe në situatën nëpër të cilën po kalon LVV me seli qendrore në Prishtinë.
Po takohemi në një situatë jo edhe gjithaq të përshtatshme për të gjithë ju aktivistët dhe anëtarët e pikave si celula bazë e organizimit të organizatës sonë dhe si celula bazë e aktivizmit tonë, sepse askush më shumë se ju dhe askush më parë se ju, nuk i ndjen dhe nuk i përjeton problemet e shfaqura në lëvizjen tonë. Prandaj dhe jemi takuar sot, prandaj dhe duhet të takohemi gjithnjë e më shpesh.
LVV është në gjendjen më të vështirë të organizimit të saj që nga themeliimi i saj dhe në një nga sfidat më të rënda të riorganizimit të saj.
Po them në gjendjen më të vështirë jo se edhe në të kaluarën nuk kemi patur situata të vështira, porse përderisa në periudhat paraprake ballafaqoheshim me procesin e ngritjes dhe fuqizimit të lëvizjes në të gjitha fazat e veprimit, emancipimit e pjekurisë politike, duke akumuluar njëkohshem vullnetin dhe forcën e nevojshme për suksese gjithnjë e më të mëdha, duke marrë gjithandej përkrahjen dhe mbështetjen gjithnjë më të gjerë nga qytetarët dhe simpatizantët në rritje dhe duke krijuar gjithnjë e më shumë hapësirë dhe mundësi për kreativitetin tonë politik e ideor, për qëndrimet e parimet konstruktive e principiele tona.
Dhe ky është dallimi në mes gjendjes së përshkruar, gjendjes së tanishme dhe raporteve të krijuara kohëve të fundit brenda organizatës sonë.
Nëse isha i kjartë, unë jam duke folur për të ardhmen e lëvizjes sonë me qendër në Gjilan
Por a mund ta ndërtojmë të ardhmen nëse nuk e vlerësojmë të tashmen, vlerat e të sotmes mbrenda LVV, a mund ta dizajnojmë të ardhmen e lëvizjes pa i respektuar të gjithë ata që e sollën lëvizjen në këtë nivel, në këtë stad kur subjekti ynë do jetë subjekti numri 1 në vend, kur lëvizja jonë do jetë shpresa e vetme e qindra mijëra qytetarëve anembanë vendit.
UNË JU THEM QË JO!
Duke i respektuar të gjithë ata që kontribuan deri në ditët e sotme, të jeni të bindur se keni respektuar dhe vehten, të jeni të bindur se keni vlerësuar dhe punën e kontributin tuaj që keni bërë së bashku me të gjithë ata, edhe me ata që këtu ishin nga dita e parë por edhe me ata që lëvizjes iu bashkuan më vonë, edhe me ata që nga dje nuk janë me ne, edhe me ata që ndoshta që nga nesër nuk do jenë me ne. Duke i respektuar pra të gjithë këta, të jeni të bindur që i keni krijuar edhe vehtes një vend të pazëvendësueshëm mbrenda lëvizjes, të jeni të bindur që i keni krijuar edhe vet lëvizjes një vend të pazëvëndësueshëm mbrenda shoqërisë sonë dhe republikës sonë.
Nëse edhe mëtej nuk jam i kjartë, Unë jam edhe mëtej duke folur për të ardhmen e lëvizjes, dhe të gjithë ATA që mendojnë se mund të veprojnë e sillen jashtë kornizave të përcaktuara me statut e me rregullore të LVV, nuk do t’mund të jenë pjesë e së ardhmes së lëvizjes, të gjithë JU që mendoni se jeni më të rëndësishëm se ne të tjerët, nuk do t’mund të jeni pjesë e së ardhmes së lëvizjes, të gjithë NE që mendojmë se jemi më të vlefshëm se ju të tjerët, nuk do mund të përfaqësojmë të ardhmen e lëvizjes.
Vetëm duke respektuar e vlerësuar njeri tjetrin, vetëm duke i njohur meritat njëri tjetrit, varësisht nga përgjegjësitë që kemi mbrenda lëvizjes duke mos i tejkaluar ato dhe sidomos duke mos i keqpërdorur asnjëherë ato, varësisht nga aftësitë dhe mundësitë që kemi në momente të caktuara, vetëm të tillë do t’mund që s’bashku të jemi pjesë e të ardhmes së lëvizjes.
LVV është e veçantë, të gjithë ne që iu kemi bashkangjitur lëvizjes, kush më herët e kush më vonë, e kemi ndier si të tillë, të veçantë, dhe ka qenë një mishërim i thellë ndjenjash e bindjesh, besimesh e shpresash, prandaj edhe raportet tona njerëzore, shoqërore, ideologjike kanë qenë njëmend të veçanta krahasuar me raportet që mbretërojnë në partitë tjera.
Duke qenë të tillë ne duhet të besojmë thellë se çdo ndarje nga këto raporte të veçanta përjetohen rëndë, prandaj edhe duhet të mirëkuptojmë dhe duhet të përmbahemi nga gjykimet verbale, prandaj edhe duhet të mendojmë në mos edhe ne kemi kontribuar në çarjen e kësaj marrëdhënieje.
Jam shumë i bindur se të gjithë NE këto çarje a këto thyerje i përjetojmë në mënyrë të veçantë, i përjetojmë sikur një gjymtyrë të trupit tonë ta kishim çarë e ta kishim thyer nga vetja jonë.
Vetëm nëse në këtë mënyrë mendojmë edhe për bashkëpunëtorët tonë ka shpresë për NE. Vetëm në këtë mënyrë do t’mund ta transmetojmë këtë shpresë edhe tek të tjerët. Vetëm në këtë mënyrë shpresën tonë do t’mund ta kthejmë në shpresën e të gjithëve. Ashtu sikur ishte dje, ashtu sikur do jetë gjithmonë.
LVV ka qenë e veçantë jo vetëm për shkak të qëndrimeve e parimeve konstruktive, jo vetëm për shkak të sakrificës për shtet e atdhetarizmit kombëtar, por sidomos LVV ka qenë e veçantë për shkak të unitetetit të saj dhe unikalitetit të unifikimit të saj.
Të nderuar aktivistë, përfaqësues të të gjithë strukturave të LVV.
Para nesh kemi një punë të madhe për ta bërë. Më të madhe se asnjëherë më parë dhe më të rëndë se kurrë më parë. Dhe barra bie përsëri mbi ju bashkë me ne, zatën si gjithherë dhe gjithnjë, ngase aty fillon gjithçka, prandaj aty ku do t’filloni ju do duhej të ishim të gjithë sbashku për t’i dal zot zotimeve tona e pritjeve të të tjerëve.