Kryeministri Albin Kurti është deklaruar pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ku prezente ishte edhe presidentja Vjosa Osmani.
Ai e falënderoi sekretarin Blinken për mbështetjen, teksa takimin e quajti të dobishëm dhe të përzemërt.
Mes tjerash, ai tha se kërkoi nga Blinken shtimin e investimeve amerikane në vendin tonë dhe të rritet shkëmbimi tregtar mes ShBA-së dhe Kosovës.
“Takimi që patëm me Blinkenin bashkë me zonjën Presidenti ishte shumë i përzemërt, fort i dobishëm për raportet e shkëlqyeshme me Kosovës dhe ShBA-së. Ne treguam se si Kosova është një rrëfim suksesi në mënyrë të dyfishtë, së pari është rrëfim suksesi për punën dhe ndërhyrjen e NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe së dyti është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore që shkon bashkë me zhvillimin ekonomik”, theksoi shefi i qeverisë, raporton Paparaci.
“Ne përfituam nga rasti, të kërkojmë nga zoti Blinken shtimin e investimeve amerikane në Kosovë dhe ta rrisim shkëmbimin tregtar mes dy vendeve tona. Edhe në NATO, ne e kemi bashkëpunimin shumë të ngushtë me SHBA-të, pasi mbrojtja është një fushë që Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin”, tha Kurti pas takimit me sekretarin Blinken.