Një veturë me targa vendore është përfshirë nga zjarri në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës në qytetin e Gjilanit.
Policia e Kosovës ka deklaruar për Radio Star se rreth orës 05:03 ka pranuar informacion se një veturë ishte përfshirë nga flakët në rrugën “Marije Shllaku”.
Sipas policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, inspektori i zjarreve dhe ekipi i zjarrfikësve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.
Nga ky incident janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
“Zjarri është lokalizuar ku përpos dëmeve materiale nuk raportohet për persona të lënduar”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për Radio Star.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, ndërsa shkaqet dhe rrethanat që çuan deri te shpërthimi i zjarrit janë duke u hetuar nga Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Gjilan.

