Pjesën më të madhe të pikëve Flamurtari i Prishtinës i mblodhi në Gjilan, pikërisht ndaj ekipeve të këtij qyteti, Dritës dhe Gjilanit.
Ekipi kuq e zi nga Prishtina para 10 ditësh e mposhti Gjilanin në këtë terren, një gjë të tillë e bëri edhe ndaj Dritës këtë të mërkurë.
Drita, që nuk ka ndonjë objektiv në këtë pjesë të kampionatit, ndeshjen me Flamurtarin e ka nisur me përbërjen e dytë, duke u dhënë mundësi lojtarëve që rrallë ishin paraqitur sivjet dhe kjo nuk dha fryt, ngase pësoi nga Flamurtari me rezultat 1 :2.
Vendasit erdhën në epërsi në minutën 23, kur pasi është shërbyer mirë nga Denis Haliti, Klejdi Burba nga afërsia ka shënuar.
Mysafirët kanë barazuar në minutën 60, kur Shend Kelmendi ka barazuar pasi brenda zonës ka dhënë një gjuajtje të saktë. Dhjetë minuta më pas sërish kanë shënuar mysafirët nëpërmjet Agron Bruçit, që u gjend mirë brenda zonës për 1:2.