Anesteziologu Valon Kadriu është sulmuar dje nga familjari i një pacienti në Klinikën Infektive.
Kadriu gjendej në vendin e tij të punës në repartin e intensivës në Klinikën Infektive në QKUK ku po kujdesej për pesë pacientë, shkruan Gazeta Shneta.
Ai ishte thirr me urgjencë për të ndihmuar një pacient në repart, dhe ndonëse nuk ishte përgjegjësi e tij Kadriu shkoi për ta ndihmuar.
“Më kanë thirr me urgjencë sepse isha vetëm unë si mjek në intensivë. Puna ime është në intensivë e jo në repart. Por unë shkova për ta ndihmuar pacientin”.
“Sapo hyra në dhomë u godita nga pala mbrapa kokës dhe në fytyrë. Përkundër goditjeve që morra dhe gjakderdhjes, unë vazhdova reanimimin dhe intubimin e pacientit për 50 minuta, por fatkeqësisht nuk mbijetoi”, ka treguar ngjarjen anesteziologu dhe intensivisti.
Ai ka treguar se nga goditja ka pësuar frakturë të hundës dhe sot po merret me trajtimin. Rasti është hapur edhe në Policinë e Kosovës.
Përveç mjekut, pala ka sulmuar edhe një infermiere të klinikës.
Sulmin ndaj anesteziologut e ka dënuar Asociacioni Kosovar i Anesteziologëve, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës. /Gazeta Shneta/