Dizajnuesi i logos së Federatës së futbollit të Kosovës, Sali Musliu, ka folur për KALLXO.com duke shpjeguar domethënien e logos, për të cilën u diskutua dhe po vazhdon të diskutohet në publik.
Ai thotë se ka lexuar shumë interpretime për logon e tij, mirëpo asnjëra nuk qëndron.
“Me ju thonë të drejtën, nëpër media e gazeta të ndryshme kam dëgjuar variacione e interpretacione nga më të ndryshme dhe shumë nga to s’kanë lidhje hiç me logon të cilën e kam punuar për Federatën e Futbollit të Kosovës”, ka thënë Musliu për KALLXO.com
Musliu thotë se qëllimi i tij ka qenë që “me pak të tregoj shumë”, e që në gjuhën e artistëve të kësaj fushe njihet si parim i lëvizjes “Bauhaus”.
“Për me formësue qëllimin… vendosa që t’i ndjek parimet e lëvizjes ”BAUHAUS ” – funksionalitet, racionalitet, përmbajte… pra, të gjitha këto është dashtë me i ndrydhë me një shprehje minimaliste, e që shqip i bie – ‘sa më pak aq ma shumë!’”, thotë tutje Musliu për KALLXO.com.
Tutje, ai thotë se kjo ka qenë finesa e parë e zhvillimit të idesë së krijimit të logos, që sipas tij s’ka të bëjë asgjë me patriotizëm e folklorizëm.
“Këto kanë qenë pra finesat e para se në ç’drejtim duhet me u zhvillue ideja, çka po du me thonë është se bash fillova me udhëtue n’drejtim t‘kundërt prej folklorizmit, patriotizmit, federativni e do qesi sene”, tha ai tutje në intervistën për KALLXO.com.
Ai e vlerëson logon si të pastër, pedante e pa ngarkesa, ndërsa estetikisht thotë se posedon refleksion të bukur.
“Estetikisht posedon refleksion t’kojshëm dhe është kompakte për nga vizualiteti estetik”, tha tutje ai.
Duke folur për topin që shihet në logo, Musliu jep këtë sqarim.
“Topi është i punuar me dorë të lirë me qëllimin që të shfaqet dinamika ekspresive në logo”, tha tutje Musliu.
Ai thotë se logoja është unike për shkak se vizatimi i lirë është i ndërthurur me programet aplikative.
Ai ka komentuar edhe disa prej logove tjera që thotë se i ka parë në media. Musliu thotë se i vjen mirë që ka qenë pjesë e kësaj gare, ndërsa për dizajnet tjera shprehet kështu:
“Unë mendoj se duhet kompjuteri me mendu me kokën tonë dhe jo koka jonë me mendu si kompjuteri”.
Musliu e ka pranuar se ka lidhje familjare me drejtoreshën e marketingut në FFK, mirëpo thotë se me aq sa ka njohuri, ajo s’ka ndikuar sepse s’ka qenë në komision.
“Në bazë të njohurive të mija që kam zonjusha në fjalë nuk ka pasur ndikim sepse mesa di unë ajo nuk ka qenë pjesë e komisionit. Ndërsa sa i përket afërsisë familjare, po, zonjusha në fjalë është familjare me bashkëshorten”, tha për KALLXO.com Musliu.
Ai thotë se për anëtarët e komisionit përzgjedhës të logos ka kuptuar vetëm pas publikimit në media derisa thotë se kanë bërë një punë shumë të mirë.
“Mendoj se ka qenë një përzgjedhje shumë e mirë dhe me kredibilitet profesional për të bërë përzgjedhjen e logos së Federatës”, tha tutje Musliu.
Për fund, Musliu ka thënë se logoja e re është ma e bukur se ajo e Serbisë, ndërsa ka propozuar që ta çojnë nga një gotë dhe të shikojnë futboll.
“Po e shfrytëzoj kompetencën time prej artisti duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve dhe pakicave në Kosovë se, nga data 16.06.2018, kosovarët e kanë një logo shumë ma të bukur se të Serbisë… çojeni nga nji gotë dosta dhe kshyrni Futboll”, tha për fund dizajneri Musliu që jeton dhe vepron në Gjermani.
Sot gjatë ditës një grup shumë i vogël i qytetarëve kanë protestuar para zyrës së FFK-së për logon e përzgjedhur