Skuadra e Gjilanit nuk e ka nisur aspak mirë sezonin pranveror në futbollin kosovar.
Pas humbjes ndaj Istogut me rezultatin 2:0, që nënkuptoi me eliminim nga Kupa e Kosovës, skuadra e Gjilanit u ndal dy herë në Superligë.
Fillimisht Gjilani barazoi 1:1 me Feronikelin dhe sot humbi 3-1 ndaj Llapi i Tahir Batatinës.
Pas rezultateve të dobëta të skuadrës, presidenti i Gjilanit, Florim Zuka theksoi se s’ka koment, pasi ndodhet jashtë shtetit, por sapo të kthehet do të ulet dhe do të bisedojë me shtabin teknik.
“Sa i përket rezultateve nuk kam koment, jam jashtë shtetit, sapo të kthehem do të ulem me shtabin teknik të bisedoj”, tha fillimisht Florim Zuka për ‘GazetaBlic Sport’.
Në fund, Zuka foli edhe për deklaratën e Ansi Nikës, i cili sot për GazetaBlic Sport deklaroi se ka persona që fusin hundët tek presidenti dhe ndikojnë në klub. Zuka tha se Nika është lojtar i madh, ndërsa e mohoi se ndikohet nga ndonjë person.
“Sa i përket deklaratës së Ansi Nika mund t’ju them se nuk ndikohem nga askush për asgjë, vetëm sygjerime mund të marrë nga njerëz profesionist. Ansi ka të drejtë të shpreh mendimin e tij, për mua është një lojtar profesionist dhe shumë i sinqert, respekt për të”, përfundoi Zuka.