Para pak çastesh Policia e Kosovës me urdhëresë të Prokurorisë Themelore në Gjilan ka shpall në kërkim Rinor Hykollin, i njohur në publik si menaxheri i reperes kosovare Tayna.
Rinor Hykolli po kërkohet nga policia për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, ndërsa për rastin ka folur vetë ai ekskluzivisht për Gazetën Express.
I kontaktuar nga Express, Rinor Hykolli tha se ditë më parë ka ndodhur një rrahje në Gjilan dhe se ai nuk ka qenë i përfshirë. Sipas tij, ai ishte arrestuar atë natë dhe pas intervistimit ishte liruar.
Menaxheri i Taynes tha se aktualisht ndodhet në pushime dhe se kur të kthehet do të paraqitet vetë në stacionin policor.
“Rinori është dorëzu në polici po atë ditë kur ka ndodh incidenti, edhe unë nuk kam qenë i përfshirë në atë rast, dikush ka qit sprej unë jam largu prej vendit të ngjarjes. Dikush është kap mes veti, edhe tash ai djali që ka denoncu rast, nuk e njoh personalisht e ka përmend emrin tim. Unë jam kanë i dorëzuar në polici, tri orë më kanë mbajt, kam dhënë deklaratë, jam dalë prej policisë, pas katër ditësh më kanë thirrë në intervistë, jam kanë në koncert në Ulqin, i kam thënë se jam në Ulqin më thanë duhet me ardhë urgjent me u lajmëru. Unë jam në pushime dhe në momentin që do të kthehem do të dorëzohem te policia dhe do të kqyri se çka është problem”, tha Hykolli për Express.
I pyetur se si erdhi deri te rasti ai tha: “Ka qenë tu perform artisja, unë kam hy brenda dhe kanë ardhë polica më kanë arrestu. Unë s’kam marrë pjesë hiç në atë rrahje”, u shpreh ai.
“Për 4-5 ditë kthehem prej pushimëve dhe dorëzohem, s’kam pse me u dorëzu se kam qenë i arretsuar dhe i liruar, me qenë i përfshirë nuk më kishin liru atë ditë”, përfundoi Hykolli.
Express ka kontaktuar edhe me policinë rajonale të Gjilanit për të parë se kur saktësisht ka ndodhur rasti dhe sa persona janë lënduar në atë rrahje, por të njëjtit nuk kanë dhënë detaje shtesë. Duke kërkuar që gazeta t’i referohet njoftimit për shpalljen në kërkim për të.