Në seancën e sotme të Kuvendit po diskutohet për gjendjen me pandeminë në vend. Opozita ka vazhduar me kritika ndaj Qeverisë për shkak të menaxhimit të situatës me COVID-19.
Për këtë ka reaguar ministri i Financave Hekuran Murati i cili ka thënë se deputetët duhet të jenë të vendosur në kërkesat e tyre ndaj ekzekutivit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai ka shtuar se nëse largohen masat, nuk kanë të drejtë të akuzojnë qeverinë se po rriten rastet me COVID-19.
“Një gjë që është dëshmuar është se vaksinat kanë pasur efektin e vet deri me tani. Deri tani nuk dëgjova asnjë deputetë që bën thirrje për vaksinim të qytetarëve, po e shohim se kemi numër të madh të rasteve me koronavirus, por fatmirësisht kemi numër të vogël të fataliteteve. Duhet të bëjmë thirje që të vaksinohen të pavaksinuarit, dhe ata që janë të vaksinuar të marrin dozën e dytë dhe të tretë”.
Ministri Murati ka shtuar se masat anti-COVID janë metodat e vetme se si mund t’u përgjigjen virusit.
“Masat funksionojmë e kemi parë nga e kaluara, ato funksionojnë pas një apo dy jave, këto janë metodat e vetme si mundemi t’i përgjigjemi virusit. Vaksinat dhe masat, asnjë qeveri nuk ka mundur të menaxhojë më ndryshe”, ka thënë ai. /Reporteri.net/