Në dokumente i shkruan se është lindur në vitin 1914, edhe pse dikur i kishin thënë se e kishin regjistruar më vonë. 105 vjeçari, Nazim Neziri, ka pak ditë që ka festuar ditëlindjen, ndërkaq gëzon shëndet të mirë e thotë se nuk përdor as barna.
Express gjatë ditës ka qëndruar në fshatin Remnik të Vitisë, nga ku Nazimi, i cili në jetën e tij ka përjetuar tri lufta, ka rrëfyer si e kishin varrosur për së gjalli për t’i ikur vrasjes nga pushtuesi
Në fshatin Remnik të Komunës së Vitisë, me stërnipat e tij është duke jetuar 105 vjeçari që mendohet të jetë personi më i moshuar në Kosovë.
I lindur në janar të vitit 1914, Nazim Neziri, gëzon shëndet të mirë, edhe pse ka më shumë se 1 shekull jetë.
Nazimi ka rrëfyer për jetën e tij, tri luftërat që ka kaluar e edhe për një histori të veçantë, që është varrosja për së gjalli për t’i ikur vrasjes nga pushtuesi.
105-vjeçari që fliste rrjedhshëm për historitë e jetës së tij, fillimisht zbuloi se jetëgjatësia është e trashëgueshme në këtë familje, pasi që babai i tij kishte jetuar 117 vite pa u kontrolluar asnjëherë te mjeku, ndërkaq, gjyshja e tij kishte vdekur 112 vjeçare.
Edhe pse të vështirë e ka të mbajë në mend detaje nga fëmijëria e rinia, ai tregon se ka pasur përjetime të tmerrshme, jo vetëm ai po të gjithë banorët e kësaj ane nga regjimet pushtuese.
Pleqëria e ka gjetur me shumë fëmijë, nipa e mbesa, deri më tani ai ka arritur të përcjellë pesë breza, e momentalisht për të po kujdeset njëri nga nipërit.
E gjithë familja së bashku janë më shumë se 100 persona.
Nazimi nuk ka mësuar asnjëherë të shkruajë e të lexojë, ndërkaq thotë se nuk merr asnjë medikament mjekësor.
Në rininë e tij ai ishte marrë me blegtori, e në këtë mënyrë thotë se kishin mbetur gjallë.
“Që me ja pa hajrin atëherë, dhenve e duhanit, që me rrit idaren kta e kanë rrit. Lopë njo ja dy se kemi pasë bollica atëherë. Sot ska asnjë. Me fushë me gja kena mbet gjallë tjetër sen ska pas, kallamoq e grunë, tana bereqetet, e elb”, thotë Nazimi, duke shtuar se atëherë ka qenë më vështirë, e sipas tij tash jeta është bërë “xhenet”.
Por, siç edhe funksiononte dikur, ai nuk kishte arritur të kryente shërbimin ushtarak, sepse shpjegonte se atëherë kishte pasur një problem në këmbë.
Pavarësisht kësaj, ka shumë rrëfime të cilat i lidh me pushtuesit që gjatë jetës së Nazimit në vend nuk ishin të paktë, e me të gjithë këta ka një histori të veçantë.
Vetëm sapo ishte martuar, në fshatin e tij, pushtuesi kishte kryer disa vrasje e edhe Nazimi ishte i kërkuar.
Shtëpia iu ishte bastisur disa herë, e malet iu kishin bërë atij shtëpi e dytë.
Një ditë, derisa në fshat u vranë gati 10-persona, rrugë zgjidhje e shpëtim për Nazimin ishte vetëm fshehja nën dhe, aty ku do të rrinte për më shumë se një orë.
“Në kohën kur pati hi bugari i dytë. Pata ikë unë në mal, tu shkue patëm hi në pleme me u mshef prej bugarit, 17 vet i mshelën, e të tjerët i lanë mshel në xhami të katunit. Unë thash më gjajnë në pleme, e më nxuni sabahi në shpi, nëse më nxen në shpi e disha që më vrasin me ra në bunar sun rasha, me hi në pleh qysh me hi të pashin nëpër oborr. Në shpi i kishim 100 copa dhen qaty në oborr e kam ndreq gropën, e kam qel vorrin e jam hi në të, veç brryli që rash në krah të djathë met si ma nalt. Po gjyshja ma trusi krahun e më qiti dhe mbi to, ka kamt sun livritsha veç ka durtë pak ma lehtë. Hallakat bugartë slan ven pa hallakatë, dheu i thatë i imë, me dy gishta e lujsha kapak frymën me dal. Nja 1 sahat a dy po dulën ata shkunë”, shpjegon 105 vjeçari.
Kur e kishin nxjerrë nga varri që e kishte hapur vetë, ai thotë se kishte qenë shumë i djersitur dhe se një fqinj të tij, veçse e kishin vrarë. Pas kësaj edhe për dhjetë ditë tjera u detyrua të strehohej në mal.
Jeta e familjes së tij kishte vazhduar kështu, me shumë sfida, ndërkaq, për t’i rritur fëmijët nuk e patë shumë të lehtë.
Vitet nuk ia kanë humbur interesin për ngjarjet e fundit politike.
Ai njeh mirë të gjithë politikanët e zhvillimet që po ndodhin në vend, ndërkaq, tregon edhe kush do të kishte mundur të ndryshonte Kosovën.
“Ibrahim Rugova tish kanë gjallë deri tash ish diktu pak puna, rahmet i past shpyrti ai i ka dhanë zor, edhe kta tjerët po kta sun po vinë dakord me veti kërkun” shton ai duke thënë se më parë besa ishte më e fortë se që është tani.
Tash kur ai nuk ka moshatarë, me mall 105 vjeçari kujton kohën kur së bashku me miqtë e bashkëfshatarë mblidheshin nëpër oda e nuk mungonte as kënga.
Ai shprehet se ka edhe dyshime mbi atë se në cilën moshë ishte regjistruar, ndërkaq, thotë se familjarët dikur i kishin thënë se kishte qenë mjaft i madh sa për të dalë më blegtori kur ishte lajmëruar.
Kosovari që ka kaluar tri lufta është rast i rrallë në vend.
Sipas agjencisë së statistikave të Kosovës, mbi moshën 65-vjeçare janë vetëm 7% e popullsisë, ndërsa, rastet si ky me shëndet të mirë me mbi 1 shekull jetë janë të veçanta edhe në rajon.